• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Numri i viktimave në sulmin amerikan ndaj Irakut dhe Sirisë arrin në 45

Numri i viktimave në sulmin amerikan ndaj Irakut dhe Sirisë arrin në 45

Kajro, 3 shkurt 2024 (MIA) - Sipas të dhënave të Observatorit sirian për të drejtat e njeriut, numri i viktimave në sulmet ajrore amerikane gjatë natës në Siri dhe Irak ka arrit në gjithsej 45 viktima.

Ushtria amerikane dje kumtoi se ka sulmuar më shumë se 85 caqe në Siri dhe Irak si përgjigje ndaj një sulmi vdekjeprurës nga milicitë proiraniane ku jetën e humbën tre ushtarë amerikanë në Jordani javën e kaluar.

Më herët gjatë ditës së sotme, qeveria irakiane kumtoi se në agresionin kanë vdekur 16 persona, përfshirë civilë, ndërsa 25 të tjerë u lënduan.

Bagdadi poashtu mohoi se ka koordinuar me SHBA-në për sulmet dhe paralajmëroi se sulmi do ta shtyjë situatën e sigurisë "buzë humnerës" në Irak dhe rajon.

"Pala amerikane u angazhua qëllimisht në mashtrim dhe shtrembërim të fakteve, duke deklaruar se kishte koordinim me autoritetet irakiane për të kryer këtë agresion - një pretendim i pabazë i bërë për të mashtruar opinionin publik ndërkombëtar dhe për të shmangur përgjegjësinë ligjore për këtë akt", tha një zëdhënës i qeverisë irakiane.

Iraku shpalli tre ditë zie.

Presidenca irakiane bëri thirrje për një takim krize të shefave të autoriteteve kyçe në vend dhe autoriteteve politike për të biseduar atë që e quajti një "agresion eklatant" ndaj sovranitetit irakian dhe për të marrë qëndrime "të qarta dhe të unifikuara".

Më 28 janar, tre ushtarë amerikanë u vranë në një sulm me dron nga milicitë proiraniane në Jordani afër kufirit me Sirinë dhe shumë ushtarë të tjerë u lënduan.

Situata e sigurisë në Lindjen e Mesme është e tensionuar për shkak të luftës në Gaza.

Që nga fillimi i luftës në Gazë midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas në tetor, milicitë proiraniane kanë kryer sulme pothuajse të përditshme në bazat ushtarake amerikane në Irak dhe Siri. SHBA u përgjigj me sulme ajrore në të dy vendet.

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR