Numri i viktimave në protestat iraniane arrin në 116, protestuesit shpallen “armiq të Zotit”
- Protestat mbarëkombëtare në Iran kundër autoriteteve për shkak të përkeqësimit të situatës ekonomike kanë hyrë sot në javën e dytë, ndërsa numri i viktimave ka arrit në të paktën 116 persona, bën të ditur Agjencia e aktivistëve "Human Rights Activists News Agency".
- Post By Fami Bajrami
- 12:02, 11 janar, 2026
Teheran, 11 janar 2026 (MIA) – Protestat mbarëkombëtare në Iran kundër autoriteteve për shkak të përkeqësimit të situatës ekonomike kanë hyrë sot në javën e dytë, ndërsa numri i viktimave ka arrit në të paktën 116 persona, bën të ditur Agjencia e aktivistëve "Human Rights Activists News Agency".
Sipas agjencisë, numri i të lënduarve ka kaluar numrin prej 2,600 persona. Pavarësisht represionit dhe territ informativ në vend, mbrëmë qytetarët dolën përsëri në rrugë. Demonstruesit u mblodhën në pjesën veriore të Teheranit.
Në sheshin "Lunak" në kryeqytet u hodhën fishekzjarrë, ndërsa demonstruesit goditën në tenxhere dhe tiganë, duke brohoritur slogane në mbështetje të dinastisë së shahut të fundit iranian, Mohamed Reza Pahlavi i cili u rrëzua nga froni gjatë Revolucionit islamik në vitin 1979.
Televizioni shtetëror iranian raporton për policë të lënduar, por shmang përmendjen e viktimave midis protestuesve, të cilët i quan gjithnjë e më shumë "terroristë".
Kryeprokurori i Iranit, Mohamad Movahedi Azad, deklaroi se kushdo që merr pjesë në protesta do të konsiderohet si "armik i Zotit" (Moharebeh), një kategori që sipas ligjeve iraniane parasheh dënim me vdekje.
Presidenti amerikan Donald Tramp dje përsëriti gatishmërinë e tij për të ndihmuar protestuesit në Iran.
Foto: DPA