• e martë, 20 janar 2026

Numri i viktimave nga aksidenti hekurudhor në Spanjë rritet në 40, shpallet tre ditë zie

Numri i viktimave nga aksidenti hekurudhor në Spanjë rritet në 40, shpallet tre ditë zie

Madrid, 20 janar 2026 (MIA) – Në Spanjë sot është shpallur tre ditë zie, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë nën rrënojat e vagonëve të trenit për të gjetur viktimat pas një aksidenti të trenit ku jetën e humbën të paktën 40 persona, ndërsa  u lënduan dhjetëra të tjerë.

Sipas informacioneve të fundit, numri i viktimave në aksidentin hekurudhor Adamuz në Kordoba është rritur në 40, ndërsa 41 persona janë shtruar në spital, 12 prej të cilëve janë nën kujdes intensiv, thanë shërbimet e emergjencës së atjeshme.

Policia tha se kishte hapur disa zyra ku njerëzit mund të paraqesin raporte dhe "të dorëzojnë mostra ADN-je për të identifikuar viktimat", transmeton Gardian.

Kryeministri spanjoll Pedro Sançez, duke folur nga vendi i aksidentit, paralajmëroi se do të shpallen tre ditë zie. Ai garantoi se qeveria do të publikonte informacionet sapo të bëhen të ditura detajet e aksidentit.

Pothuajse 500 persona udhëtonin në dy trenat e përfshirë në aksident, transmetoi El Pais. Në trenin në linjën Malaga-Madrid ka pasur 294 persona, ndërsa në trenin Madrid-Huelva 184 pasagjerë.

Ministri spanjoll i Transportit, Oskar Puente, tha se linja Madrid-Andaluzi ka të ngjarë të rihapet më 2 shkurt. Kur bëhet fjalë për mundësinë që një defekt të ketë qenë shkaku i daljes së trenit nga shinat, ministri tha se ishte e nevojshme të përcaktohej nëse ky ishte shkaku apo pasoja. Puente shpjegoi se në shinat ku ndodhi aksidenti në Adamuz nuk ka krisje vetëm në një vend, por në disa vende, përgjatë një seksioni të shinave 200 ose 300 metra të gjatë. Ai tha se ende nuk dihej nëse ky ishte shkaku apo pasoja e aksidentit.

Rreth 40 pjesëtarë të Njësisë për situata emergjente (UME) po punojnë në vendin e aksidentit në Adamuz, thanë burime nga Ministria spanjolle e Mbrojtjes.

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR