• e enjte, 26 dhjetor 2024

Numri i të vdekurve nga tërmeti në Turqi dhe Siri ka kaluar 6200, po kërkohen të mbijetuar

Numri i të vdekurve nga tërmeti në Turqi dhe Siri ka kaluar 6200, po kërkohen të mbijetuar

Nurdagi, 7 shkurt 2023 (MIA) - Numri i të vdekurve nga tërmeti në Turqi dhe Siri ka kaluar 6,200 njerëz  dhe pritet të vazhdojë të rritet, ndërsa ekipet e shpëtimit dhe ndihma ndërkombëtare po mbërrijnë dhe shpëtimtarët luftojnë për të tërhequr të mbijetuarit nga rrënojat në mot të ftohtë.

Një zonë e madhe është shkatërruar, duke e bërë të vështirë që ekipet e shpëtimit të arrijnë në qytete dhe vende të populluara, ndërsa për shkak të motit të ftohtë ka frikë se sa do të mund të mbijetojnë njerëzit nën rrënoja.

Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave të Turqisë tha se numri i përgjithshëm i vdekjeve në vend tejkaloi 4,500, me rreth 26,000 të plagosur. Numri i të vdekurve në zonat e kontrolluara nga qeveria në Siri është rritur në më shumë se 800, ndërsa të paktën 900 janë raportuar në zonat e kontrolluara nga kryengritësit, sipas "Helmetave të bardha" një organizatë që udhëheq operacionet e shpëtimit.

Një tërmet me magnitudë prej  7.8 ballë sipas shkallës Rihter që goditi Turqinë dhe Sirinë herët dje, i ndjekur nga një sërë pasgoditjesh dhe një tjetër tërmet i madh me magnitudë prej  7.5 ballë, la qindra kilometra zona të shkatërruara në Turqinë juglindore dhe Sirinë fqinje. Tërmeti rrëzoi mijëra ndërtesa, duke sjellë vuajtje të reja në një rajonin që është shkatërruar nga lufta civile 12-vjeçare në Siri dhe është goditur nga një krizë refugjatësh.

Grumbujt e paqëndrueshëm të metalit dhe betonit e bëjnë të rrezikshëm kërkimin e njerëzve që mund të mbeten nën rrënoja dhe temperaturat e ulëta ngrenë shqetësime se sa gjatë mund të mbijetojnë njerëzit e bllokuar në të ftohtë.

Vetëm në Turqi, më shumë se 8,000 njerëz janë nxjerrë nga rrënojat, dhe rreth 380,000 janë strehuar në strehimore ose hotele shtetërore, tha nënpresidenti turk Fuat Oktaj. Ata u strehuan në qendra tregtare, stadiume, xhami, bashkësi lokale, ndërsa të tjerët e kaluan natën nën batanije rreth një zjarri.

Shumë prej tyre dolën në rrjetet sociale për të kërkuar ndihmë për të afërmit e tyre për të cilët kanë frikë se janë nën rrënoja. Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme deklaruan se të gjitha thirrjet u mblodhën me kujdes dhe informacioni iu kalua ekipeve të kërkimit, raporton agjencia Anadolia.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan tha se 13 milionë nga 85 milionë banorët e vendit u prekën nga tërmeti dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në 10 provinca.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mund të ketë deri në 23 milionë të prekur në zonën e goditur nga tërmeti.

“Kjo është një krizë që i shtohet krizave të shumta në atë zonë”, tha një përfaqësues i OBSH-së në Gjenevë.

Miliona refugjatë nga lufta civile siriane jetojnë në Turqi.

Zona e goditur nga tërmeti në Siri është e ndarë në territore të kontrolluara nga qeveria dhe një enklavë përfundimtare e kontrolluar nga opozita ku miliona njerëz jetojnë në varfëri ekstreme dhe varen nga ndihma humanitare.

Turqia është përpjekur të përshpejtojë shpërndarjen e ndihmave duke lejuar vetëm automjetet e ndihmës të hyjnë në provincat më të goditura të Karamanmaras, Adijaman dhe Hataj.

KB-ja njoftoi se po "shqyrtonte të gjitha opsionet" për të ofruar ndihmë në zonat e kontrolluara nga kryengritësit në Sirinë veriperëndimore. Një përfaqësues i "Mjekë pa Kufij" në vend tha se objektet shëndetësore ishin të mbingarkuar dhe stafi mjekësor po punonte gjatë gjithë kohës për të ndihmuar të plagosurit.

Ndihma po arrin deri te disa. Disa përpjekje dramatike shpëtimi u raportuan në të gjithë zonën dhe të mbijetuarit, përfshirë fëmijë të vegjël, u nxorrën nga rrënojat më shumë se 30 orë pas tërmetit. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR