• e shtunë, 23 nëntor 2024

Nuk dihet numri i qytetarëve të bllokuar në zonat e përmbytura në Greqi, vijon operacioni i shpëtimit

Nuk dihet numri i qytetarëve të bllokuar në zonat e përmbytura në Greqi, vijon operacioni i shpëtimit

Athinë, 8 shtator 2023 (MIA) - Përmes televizioneve greke, banorët e zonave të përmbytura, të ngecur me orë të tëra pa ujë dhe ushqim, mes të cilëve edhe persona të moshuar, po kërkojnë ndihmë dhe apelojnë që ndihma të arrijë sa më shpejt dhe të shpëtohen, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Për momentin nuk dihet numri i të bllokuarve në ndërtesat e përmbytura në afërsi të Kardicës, Trikalës dhe Volosit, po ashtu nuk dihet edhe numri i personave të zhdukur, ndërsa numri i viktimave nga stuhia "Daniel" ka shkuar në shtatë të vdekur. 

Në të njëjtën kohë, me helikopterë, varka dhe ekskavatorë vazhdon aksioni masiv për shpëtimin e njerëzve nga zonat e përmbytura greke.

Në operacionin e shpëtimit nga ajri janë përfshirë helikopterët e shërbimit zjarrfikës dhe të ushtrisë, përfshirë një Sinuk dhe qindra qytetarë janë transferuar në vende të sigurta që nga mëngjesi i sotëm.

Nuk janë të paktë ata që edhe përmes televizioneve greke kërkojnë të afërmit dhe miqtë me të cilët kanë humbur kontaktet dhe nuk e dinë nëse janë gjallë dhe për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike nuk i kanë të mbushur celularët, ose nuk ia dolën të shpëtonin në përmbytjet.

Shërbimi Bregdetar i Greqisë ka shpëtuar sot nga plazhi në zonën e Pilios nëntë turistë nga Gjermania.

Zyrtarisht, shtatë persona kanë humbur jetën që nga fillimi i stuhisë "Daniel" të martën, por në Greqi ka frikë se ky numër mund të rritet ndjeshëm. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR