• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Norvegjia vendosi pako të re të sanksioneve kundër Rusisë

Norvegjia vendosi pako të re të sanksioneve kundër Rusisë

Oslo, 2 tetor 2023 (MIA) - Norvegjia sot vendosi sanksione të reja kundër Rusisë, duke iu bashkuar pakos së 11-të të sanksioneve të Bashkimit Evropian, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme e vendit.

Sanksionet e reja, mes tjerash, i referohen ndalimit të tranzitit përmes territorit rus të mallrave dhe teknologjisë që mund të "kontribuojë në rritjen e aftësive ushtarake dhe teknologjike të Rusisë ose në zhvillimin e sektorit të mbrojtjes dhe sigurisë", ndërsa lista e armëve që janë të ndaluara për shitje personave fizikë ose juridikë në Rusi është zgjeruar, thuhet në njoftim.

Në të njëjtën kohë, importi i naftës ruse përmes tubacioneve të naftës që shkojnë në Gjermani dhe Poloni është i ndaluar, si dhe është zgjeruar lista e produkteve të hekurit dhe çelikut, si dhe mallrave luksoze, importi i të cilave është i ndaluar.

"Paketa e re e sanksioneve ka për qëllim të forcojë sanksionet ekzistuese dhe të parandalojë anashkalimin e tyre. Kjo është e rëndësishme sepse është e nevojshme që urgjentisht të ngadalësohet fluksi i parave që Rusia përdor për të financuar luftën brutale të agresionit”, deklaroi ministrja e Punëve të Jashtme norvegjeze, Aniken Hjuitfelt.

Ajo shtoi se sanksionet po bëhen më gjithëpërfshirëse dhe se ato përfaqësojnë reagim të fortë dhe të qartë evropian ndaj "luftës brutale të agresionit të Rusisë në Ukrainë".

"Mundësitë për tregti me Rusinë po bëhen gjithnjë e më pak dhe mbartin me vete një rrezik të madh”, tha Hjuitfelt.  qa/ab/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR