• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

"NjuJork post": Tramp u qëllua nga një ndërtesë që në të njëjtën kohë kishte snajperistë të policisë

Uashington, 16 korrik 2024 (MIA) - Një ekip snajperist i policisë lokale u vendos në ndërtesën nga çatia e së cilës atentatori, Tomas Metju Kruks, qëlloi dhe plagosi ish-presidentin amerikan dhe kandidatin aktual për president, Donald Tramp, gjatë një tubimi parazgjedhor, publikoi NjuJork post, duke cituar burime nga organet ligjzbatuese.

Ndërtesa në Batler, Pensilvani, në të cilën ndodhej fabrikë për paketimin e qelqit dhe plastikës, u përdor nga policia lokale si një "pikë vëzhgimi" për snajperistët e tyre për të mbajtur nën vëzhgim kërcënimet ndërsa ish-presidenti mbante një fjalim vetëm 110-120 metra larg, thanë burimet.

Sipas tyre, në momentin e të shtënave, policët ndodheshin brenda ndërtesës, por jo në çatinë e saj.

Kruks arriti të ngjitej pa pengesa në ndërtesë përpara se të qëllonte tetë herë, duke plagosur Trampin në vesh, duke vrarë një pjesëmarrës në tubim dhe duke plagosur dy të tjerë.

Mediat lokale publikuan se Kruks u pa brenda ndërtesës rreth gjysmë ore para se të hapte zjarr - me ç'rast me një nga oficerët e policisë së Qarkut Biver madje edhe e ka fotografuar para gjuajtjes.

Burimet e zbatimit të ligjit thanë se ishte e paqartë nëse ndonjë nga oficerët lokalë - të ngarkuar me sigurimin e perimetrit rreth tubimit - mund të kishte informuar agjentët e Shërbimit Sekret të SHBA-së për sulmuesin.

Gazeta shtoi se një nga policët u përpoq të kontrollonte çatinë disa minuta para fillimit të të shtënave, por u tërhoq kur Kruks i drejtoi një pushkë.

Sipas zëdhënësit të Shërbimit sekret amerikan, Entoni Gugliemi, policia lokale u ngarkua me sigurimin e zonës ku ndodhën të shtënat.

Sipas burimeve, policia ka kontrolluar vendin dhe ambientet para nisjes së tubimit të Trampit, por policët e tyre nuk kanë shkuar në çati gjatë ngjarjes nga frika se mos ndërhyjnë në punën e snajperëve të Shërbimit Sekret Amerikan. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR