Një vit pas tragjedisë në Koçan: Dhimbja nuk shuhet, jeta ndahet në para dhe pas
- Një vit pas tragjedisë më të madhe në historinë më të re të Maqedonisë, Koçani edhe më tej vazhdon të jetojë nën hijen e zjarrit në diskotekën „Puls“, i cili e ndau përgjithmonë kohën në „para” dhe „pas”. Më shumë se 60 jetë të humbura dhe mbi 200 të lënduar lanë një plagë që nuk zbehet. Edhe sot, qyteti dhe familjet e viktimave e ndiejnë heshtjen që mbeti pas tyre, por edhe peshën e betejës së padukshme për të vërtetën dhe drejtësinë. Atë natë Maqedonia ishte e paralizuar nga mosbesimi, ndërsa Koçani u shndërrua në simbol të dhimbjes, humbjes dhe lëshimit të pafalshëm.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 19:24, 16 mars, 2026
Shkup, 16 mars 2026 (MIA) – Një vit pas tragjedisë më të madhe në historinë më të re të Maqedonisë, Koçani edhe më tej vazhdon të jetojë nën hijen e zjarrit në diskotekën „Puls“, i cili e ndau përgjithmonë kohën në „para” dhe „pas”. Më shumë se 60 jetë të humbura dhe mbi 200 të lënduar lanë një plagë që nuk zbehet. Edhe sot, qyteti dhe familjet e viktimave e ndiejnë heshtjen që mbeti pas tyre, por edhe peshën e betejës së padukshme për të vërtetën dhe drejtësinë. Atë natë Maqedonia ishte e paralizuar nga mosbesimi, ndërsa Koçani u shndërrua në simbol të dhimbjes, humbjes dhe lëshimit të pafalshëm.
Më 16 mars 2025, në tragjedinë në diskotekën „Puls“, humbën jetën 63 persona, mes tyre edhe fëmijë, ndërsa mbi 200 të tjerë u lënduan. Menjëherë pas fatkeqësisë u mbajt një mbledhje e jashtëzakonshme e Komunës së Koçanit dhe u shpall shtatëditësh zie në nivel lokal, e më pas edhe në nivel shtetëror. Edhe pse të dhënat fillestare flitnin për 59 të vdekur dhe mbi 150 të lënduar, bilanci përfundimtar në aktakuzat e prokurorisë, pas trajtimit të pacientëve, arriti në 63 viktima dhe mbi 200 të lënduar.
Organet hetimore konstatuan se klubi kishte funksionuar në mënyrë të paligjshme për më shumë se një dekadë, pa kushte teknike minimale, pa leje dhe pa standarde themelore kundër zjarrit. Janë kryer rikonstruksione pa mbikëqyrje, janë përdorur materiale lehtësisht të ndezshme, ndërsa hapësira nuk i ka përmbushur as standardet më elementare të sigurisë.
Mbrëmjen kritike, tre mjete piroteknike ishin aktivizuar njëkohësisht, të drejtuara nga tavani i cili ishte i veshur me sfungjer poliuretani. Zjarri u përhap brenda sekondash, ndërsa tymi i dendur mbytës dhe paniku i bllokuan vizitorët brenda klubit me një dalje të vetme dhe të papërshtatshme. Shumica e viktimave humbën jetën në përpjekje për të arritur te dera, e cila nuk ishte një zgjidhje standarde evakuimi.
Lëshime shumëvjeçare dhe licenca të paligjshme – i gjithë sistemi nën llupë për tragjedinë në „Puls”
Pas fatkeqësisë, Prokuroria ngriti aktakuza kundër 34 personave fizikë dhe tre personave juridikë. Të gjithë ata ngarkohen për veprën penale „vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”. Fillimisht, hetimi përfshinte 45 persona fizikë (përfshirë këtu edhe pronarin e objektit-magazinë), por për shkak të mospasjes së provave procedura u ndërpre për 11 persona, mes të cilëve edhe dy ish-ministra të ekonomisë, përderisa njëri nga të dyshuarit ndërroi jetë. Midis tyre ka pronarë, menaxherë, inspektorë, ish-kryetarë komunash, pjesëtarë të sigurimit dhe nëpunës shtetërorë. Në aktakuzën përfundimtare janë saktësuar tre ish-kryetarë të Komunës së Koçanit, katër ish-drejtorë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, pesë nëpunës shtetërorë dhe një sekretar i përgjithshëm. Të gjithë këto, sipas aktakuzës, me veprimet ose me mosveprimet e tyre, kanë kontribuar në krijimin e kushteve të rrezikshme që çuan deri te katastrofa.
_Qrdgwsvdg/placeholder.webp?use_watermark=1)
Sipas Prokurorisë Publike, pronarët kanë lejuar rikonstruksione të paligjshme dhe stërmbushje të objektit, përfshirë këtu edhe hyrjen e personave të mitur. Një pjesë e të punësuarve në institucione kanë falsifikuar dokumente, kanë lëshuar licenca të paligjshme ose me vite nuk kanë kryer mbikëqyrje inspektuese. Ish-kryetarë të komunës, edhe pse e kanë ditur se objekti funksiononte pa leje, nuk kanë ndërmarrë masa – nuk kanë kryer inspektim, nuk kanë iniciuar mbylljen dhe as nuk kanë paralajmëruar për rreziqet.
Të gjitha këto lëshime – të grumbulluara ndër vite – krijuan, siç theksoi prokurori Borçe Janev në fjalën hyrëse, një „kurth vdekjeprurës”. Ai theksoi se „Nuk është e rëndësishme vetëm se kush e ndozi zjarrin, e rëndësishme është kush kishte një kovë ujë dhe nuk e derdhi”.
Paralelisht me lëndën kryesore, po zhvillohet procedurë e veçantë edhe për zyrtarë policorë të lidhur me rastin. Në janar 2026 u ngrit aktakuzë kundër 13 zyrtarëve policorë, ndërsa në Gjykatën Themelore Penale Shkup është dorëzuar edhe propozim-akuzë kundër edhe tre zyrtarëve të tjerë policorë, të cilët sipas Prokurorisë, nuk i kanë kryer detyrat e tyre. Prokuroria Themelore Publike Koçan hapi edhe procedurë parahetimore kundër zyrtarëve të Drejtorisë së të Ardhurave Publike..
Gjykimi për tragjedinë e Koçanit nën masa të shtuara sigurie – të akuzuarit nuk ndihen fajtorë
Para fillimit të procesit gjyqësor, Gjykata Supreme mori vendim me të cilin si gjykatë lëndore dhe territorialisht kompetente e përcaktoi Gjykatën Themelore Penale Shkup, pas së cilës Këshilli për Vlerësim e miratoi aktakuzën në tërësi.
Më 19 nëntor 2025, nën masa të shtuara sigurie, filloi gjykimi në sallën e gjyqit të burgut „Idrizovë“ në Shkup. Gjyqtarja Dijana Gruevska Ilievski atëherë paralajmëroi një proces intensiv dhe theksoi se do të kërkohet disiplinë e rreptë nga të gjithë pjesëmarrësit në sallën e gjyqit. Ajo theksoi se për çdo shtyrje të pajustifikueshme do të pasojnë sanksione dhe se të gjitha arsyetimet mjekësore do të kontrollohen hollësisht. Gjyqtarja nënvizoi se këshilli do të veprojë në mënyrë profesionale, me respekt ndaj dhimbjes së familjeve të të ndjerëve, por me detyrim që t’u mundësojë të gjitha palëve mundësi të barabartë për ta paraqitur teorinë dhe provat e tyre.
.

Në seancën hyrëse, të gjithë të akuzuarit deklaruan se janë të pafajshëm. Mbrojtja e tyre pretendon se tragjedia është pasojë e lëshimeve institucionale, e jo e vendimeve individuale.
Në sallën e gjyqit më pas u dëgjuan prindërit, të mbijetuarit, mysafirët në klub, inspektorët dhe anëtarët e bendit që performuan atë mbrëmje.
Pjesë pas pjese, prokuroria përpiqet që ta zhvillojë fotografinë e plotë dhe ta përcaktojë përgjegjësinë. Gjykimi është në vijim e sipër dhe vazhdon nesër me dëgjimin e dëshmitarëve të rinj të propozuar nga Prokuroria Publike.
Në ndërkohë, në fillim të marsit 2026, policia në Koçan filloi procedurën për kthimin e gjësendeve personale të viktimave tek familjet e tyre.
„Marshi i engjëjve” – zëri i prindërve që për një vit nuk heshti
Gjatë vitit të kaluar, prindërit e të ndjerëve dhe të lënduarve u bënë bartësit më të zëshëm të luftës për drejtësi. „Marshi i engjëjve” i tyre filloi menjëherë pas tragjedisë – si akt simbolik i dhembjes dhe shpresës. Marshimet mbaheshin çdo të shtunë në Koçan, ndërsa disa herë u mbajtën edhe para institucioneve në Shkup. Shteti në ndërkohë paralajmëroi reforma në sistemet e sigurisë, kontrollit dhe inspektimeve, por familjet nuk janë të bindura – thonë se institucionet „premtojnë shumë, por bëjnë pak”.

Për shënimin e përvjetorit të parë, Komuna e Koçanit paralajmëroi program treditor përkujtimor dhe shpirtëror nga 14 deri më 16 mars. Programi përfshin shërbesa fetare, hapjen e memorialit „Ëndrra të papërfunduara – çdo emër është bota e dikujt”, vendosjen e instalacionit simbolik „63 karrige të bardha – 63 jetë” me muralin „Muri i kujtesës”, si dhe tubim para objektit „Puls” në orën 02:15 pas mesnate – koha kur kishte ndodhur zjarri.
.

Një vit pas zjarrit në Koçan, përgjigjet mbeten ende jo të plota, drejtësia e papërfunduar, ndërsa plagët të hapura. Dhe përderisa e vërteta ngadalë po depërton përmes procesit gjyqësor, një gjë është e qartë: kjo tragjedi nuk guxon të përsëritet, ndërsa kujtimi për Dime Dimitrijev, Sara Aleksova, Monika Spasova, Toshe Todorovski, Aleksandar Kolarov, Adrian Zhivkov, Aleksandar Aleksov, Gorgi Veliçkov, Jordanço Xhamov, Ivan Trajçev, Gjoko Gorgiev, Aleksandar Gligorovski, Ivan Veliçkov, Andrej Stojanov, Ivona Antova, Pavel Hristovski, Nikola Nasevski, Toshe Bogdanov, Ana Koçeva, Gordan Petrushov, Igorçe Gorgiev, Filip Stevanovski, Tomçe Stojanov, Monika Stoimenova, Stojanço Stojanov, Sara Projkovska Nikollovska, Marija Shopova, Aleksandar Gorgiev, Petar Ivanovski, Bojana Zakova, Matej Markovski, Gorgji Vasilkov, Aleksandar Petrov, Andreja Gorgievski, Marija Strezoska, Aleksandar Efremov, Lepa Taseva Stojkovska, Igor Velkov, Bozhidar Minov, Martin Atanasovski, Stefanija Sokolova, Tomas Zlatkov, Keti Milkovska, Viktor Jordanov, Andrej Panov, Spiro Stoimenov, Jove Vladimitov, Stefan Tasevski, Ice Andonov, Aleksandar Stojanov, Sanja Hristova, Damjan Taneski, Andrej Lazarov, Dragana Minova, Filip Ivanovski, Sara Jordanova, Leonid Velkov, Nadica Naunova, Dimitar Ivanov dhe Vladimir Blazhev, duhet të mbetet udhërrëfyes për ndryshim.
Foto: Arkivi i MIA-s