Një vit para zgjedhjeve, Trampi kryeson në anketat ndaj Bajdenit në pesë shtete kyçe
- Një vit para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, një anketë e Nju Jork Tajmsit e publikuar sot tregon se ish presidenti amerikan Donald Tramp është në epërsi kundrejt presidentit aktual Xho Bajden në pesë nga gjashtë shtetet kyçe, pasi demokrati po humb mbështetjen mes të rinjve dhe pakicave.
- Post By Fami Bajrami
- 21:27, 5 nëntor, 2023
Nju Jork, 5 nëntor 2023 (MIA) - Një vit para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, një anketë e Nju Jork Tajmsit e publikuar sot tregon se ish presidenti amerikan Donald Tramp është në epërsi kundrejt presidentit aktual Xho Bajden në pesë nga gjashtë shtetet kyçe, pasi demokrati po humb mbështetjen mes të rinjve dhe pakicave.
Sipas anketës së Nju Jork Tajms/Kolegjit Siena, miliarderi republikan Donald Tramp kryeson ndaj rivalit të tij demokrat në Nevada (52/41), Xhorxhia (49/43), Arizona (49/44), Miçigan (48/43) dhe Pensilvani (48/44), ndërsa Xho Bajden do të fitonte në Viskonsin (47/45).
Në të gjitha këto shtete, Xho Bajden fitoi në vitin 2020.
Anketa është realizuar me telefon nga data 22 tetor deri më 3 nëntor mes 3.662 votuesve të regjistruar në gjashtë shtete.
Gjashtëdhjetë e shtatë për qind e të anketuarve konsiderojnë se vendi (derisa Bajdeni është president) po shkon në drejtim të keq, 59 për qind nuk e miratojnë mënyrën se si Bajdeni i kryen detyrat si president (mes tyre 46 për qind aspak nuk e miratojnë) dhe 71 për qind mendojnë se me vjetët si 80 vjeçar është shumë i moshuar për të qenë president i suksesshëm.
Xho Bajden më së shumti po humb mbështetjen mes të rinjve, ndërsa vetëm 41 për qind e të rinjve të moshës prej 18 deri në 29 vjeç thonë se përfundimisht ose me gjasë do të votojnë për të, ndërsa 40 për qind e të rinjve të të njëjtit grup do të votojnë për Trampin.