• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Një varg reagimesh në Shqipëri pas nismës së Ramës për formimin e shtetit bektashi në Tiranë

Një varg reagimesh në Shqipëri pas nismës së Ramës për formimin e shtetit bektashi në Tiranë

Tiranë, 24 shtator 2024 (MIA) – Përderisa kryeministri Edi Rama fuqishëm qëndron pas idesë për formimin e shtetit bektashi në Tiranë, nuk ndalen reagimet në vend, të cilat kanë të bëjnë me atë se kjo përfaqëson "shtet në shtet", cenim për harmoninë religjioze, për të cilën njihet shteti, e deri në atë që Rama dëshiron të përfitojë në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.

Kundër kësaj nisme sot pasdite u deklarua Bashkësia Fetare Myslimane duke vlerësuar se kjo do ta cenojë harmoninë fetare dhe ndërfetare në vend. 

Nënkryetari i kësaj bashkësie, Loren Luli, në intervistë për ABC News deklaroi se kjo bashkësi është kundër idesë për shtet bektashi sepse cenohet toleranca fetare në vend. 

Paralajmëroi se të gjitha bashkësitë fetare do ta koordinojnë qëndrimin e tyre sapo të zbulohen më shumë hollësi nga ky projekt. 

"Padyshim qash në kumtesën e djeshme u shprehëm se hapa të tillë mund të jenë hapa që dëmtojnë bashkëjetesën dhe harmoninë fetare e ndërfetare. Ne e shohim si një precedent të rrezikshëm që kërcënon pikërisht këtë paqe", vlerëson ai.

Për këtë, thekson ai, ne e kemi ndjekur me shqetësim këtë çështje dhe padyshim do të vazhdojmë ta ndjekim me vëmendje maksimale edhe në të ardhmen, se si do të zhvillohet dhe çfarë informacionesh shtesë do të vijnë në lidhje me këtë çështje.

"Tashmë kemi bërë kontakte me bashkësitë e tjera dhe mesa duket ende nuk është e qartë se çfarë po ndodh. Ata thanë se është ende herët për të patur një qëndrim dhe për këtë arsye kanë zgjedhur të mos komunikojnë me media apo të mbajnë qëndrim zyrtar", tha Luli.

Vonë pasdite reagoi edhe ish presidenti shqiptar dhe lideri aktual i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për të cilin “ideja është nismë me qëllim elektoral”. 

"E hodhi idenë e një shteti sovran bektashian në prag të zgjedhjeve në mënyrë të njëanshme, të paqëndrueshme, të paqartë", tha Meta, i cili shton si argument shtesë një dispozitë nga Kushtetuta.

Më parë reagoi edhe lideri i Partisë Demokratike në opozitë dhe ish kryeministër dhe president shqiptar Sali Berisha, i cili tha se "krijimi i shtetit bektashi sovran nuk është për besimtarët, por për vetë kryeministrin Rama".

Duke i përshëndetur besimtarët Berisha porositi se duhet të kenë kujdes për këtë projekt të kryeministrit Rama, sepse sipas tij, këtë e bën që t’i heqë mendjet e qytetarëve nga mashtrimet dhe nga qëndrimet antishqiptare.

Ekspertë të të drejtës kushtetuese vlerësojnë se është në kundërshtim me Kushtetutën dhe se kjo është vepër penale. 

Kundër kësaj ideje është edhe prifti Akil Pano, i cili vendimin e Ramës e quajti “tradhti kombëtare”, duke shtuar se Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë duhet të dalë me deklaratë të përbashkët të bashkësive fetare. 

Reaguan edhe deputetë të opozitës duke vlerësuar se “propozimi është shqetësues dhe nuk ka kurrfarë lidhje me realitetin shqiptar” dhe se vjen në kohë kur "vendi ka hyrë në krizë të thellë ekonomike dhe sociale, si rezultat i qeverisë së stërmbushur me skandale dhe korrupsion".

Përndryshe, sipas regjistrimit nga viti 2023, në Shqipëri si bektashinj janë deklaruar 115.600 mijë nga 2.402.113 banorë në vend. fc/

Fotografia: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR