• e shtunë, 28 dhjetor 2024

Një anije me 750 tonë dizel u fundos pranë Tunizisë

Një anije me 750 tonë dizel u fundos pranë Tunizisë
Tunizi, 16 prill 2022 (MIA) - Një anije mallrash me 750 tonë dizel që udhëtonte nga Egjipti për në Maltë u fundos sot në brigjet juglindore të Tunizisë, por deri më tani nuk ka rrjedhje karburanti, tha zëdhënësi i gjykatës lokale Mohamed Kari. “Anija u fundos sot në mëngjes në ujërat territoriale të Tunizisë. Nuk ka asnjë rrjedhje karburanti deri më tani," tha Kari. Ai shtoi se "një komision për parandalimin e fatkeqësive tani do të mblidhet dhe do të vendosë se çfarë masash do të marrë". Ministria e mjedisit jetësor kumtoi se anija kërkoi hyrjen në ujërat territoriale tuniziane të premten për shkak të motit të keq. Anija, e ndërtuar në vitin 1977 me flamurin e Guinesë Ekuatoriale, lundroi nga porti egjiptian Damieta në Maltë. Rreth 7 kilometra larg gjirit Gabesh, uji filloi të depërtonte në anije dhe motori u përmbyt shpejt pasi niveli i ujit arriti 2 metra. Autoritetet tuniziane kanë evakuuar shtatë anëtarë të ekuipazhit, kapitenin e anijes gjeorgjiane, katër marinarë turq dhe dy nga Azerbajxhani. Ministria e mjedisit jetësor paralajmëroi se ekzistonte rreziku i rrjedhjes së karburantit në det dhe se ministritë e mbrojtjes, të punëve të brendshme, transportit dhe doganave po punonin për të parandaluar një "katastrofë të mundshme detare, ekologjike në zonë". ls/

QËNDRONI TË LIDHUR