• e shtunë, 21 mars 2026

Nikollovski: Investimet në autostrada dhe hekurudha moderne do ta përshpejtojnë zhvillimin e Maqedonisë së Veriut

Nikollovski: Investimet në autostrada dhe hekurudha moderne do ta përshpejtojnë zhvillimin e Maqedonisë së Veriut

Shkup, 21 mars 2026 (MIA) - Ndërtimi i plotë i Korridorit 10 është përcaktim i Qeverisë me qëllim që Maqedonia ta ruajë pozitën strategjike në Evropë. Njëkohësisht investojmë qindra milionë në ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore dhe rrugore të Korridorit 8. Vetëm kështu do të parandalojmë që shteti të mos bëhet zorrë qorre, ndërsa transportuesit dhe biznesi të zgjedhin korridore alternative, deklaroi zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikollovski.

"Rreziku kryesor është Maqedonia nga një shtet në të cilin priten dy Korridoret panevropiane, të bëhet zorrë qorre. Për momentin Korridori 10 në Evropë është  ekonomikisht më i pagueshëm dhe në të ka më së shumti biznes. Është e saktë se Korridori 4 është konkurrencë, por ende Korridori 10 ka përparësi nëse përfundohet tërësisht deri në vitin 2031/32 siç është plani. Përse e them këtë? Para disa kohësh pati protestë të transportuesve, u mbyllën kufijtë. Një nga shtetet më të goditura ishin Bullgaria dhe Greqia, ndërkaq gjithashtu mjaft e goditur ishte edhe Kroacia. Transportuesit filluan të tranzitojnë nëpër Korridorin 4 dhe kuptuan se shumë më shtrenjtë e kanë transportin, sepse rruga është më e gjatë për 600 km, krahasuar me Korridorin 10. Por, nëse ndërtohet Korridori 10 tërësisht, do të vozisin edhe 600 km plus sepse nuk do të kenë zgjidhje. Ne duhet ta shfrytëzojmë momentin dhe atë përparësi që e kemi si lokacion", tha Nikollovski në emisionin "Stadiumi në Kanal 77".

Nikollovski foli edhe për përparësinë që e ka për momentin Maqedonia në raport me fqinjët, në ndërtimin dhe zhvillimin e Korridorit 8.

"E përfunduam fazën e parë të hekurudhës drejt Bullgarisë. Aksi Kumanovë - Bellakoc është në funksion nga janari i kaluar. Bellakoc - Kriva pallankë po punohet me dinamikë të mirë. Punojmë me Bankën investuese evropiane në shpalljen e thirrjes për ndërtim të aksit të tretë. Tashmë pres që thirrja për mbikëqyrje të shpallet javën e ardhshme, ndërsa në dy deri tre javët në vijim edhe thirrja për ndërtim, dhe tashmë nga vera, apo vjeshta e hershme të shohim aktivitete në terren", tha Nikolloski.

Zëvendëskryeministri për herë të parë zbuloi hapa për zhvillim edhe të krahut perëndimor të Korridorit hekurudhor 8, projekte të cilat do të jenë me rëndësi të madhe për zhvillimin e ekonomisë dhe biznesit në pjesën perëndimore të shtetit.

"Lidhur me krahun perëndimor të Korridorit 8, më 22 prill do të kemi takim me BE-në, të cilët do të vijnë në Shkup, sepse këtë pjesë e lamë në projektet në pjesën për rritje. Faza e parë është rehabilitimi i plotë i drejtimit Shkup-Jegunoc-Tetovë-Gostivar-Kërçovë, ndërsa faza e dytë është ndërtimi i hekurudhës e cila do të shkojë Kërçovë-Ohër-Strugë-kufiri me Shqipërinë", theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.

Për vizitën në Uashington dhe takimet në Bankën botërore dhe Departamentin amerikan të Shtetit, zëvendëskryeministri Nikolloski theksoi se ka marrë pjesë në konferencën vjetore të Bankës botërore, ku pati fjalim së bashku me eurokomisarin për transport, si dhe në takimin ministror me përfaqësues të shteteve më të mëdha në botë, ku në fokus të takimeve ishte mobiliteti dhe transporti.

Krahas temave ekonomike, vizitën në Uashington Nikolloski e shfrytëzoi edhe për një sërë takimesh politike në Departamentin amerikan të Shtetit dhe Këshillin e Sigurimit.

"Për herë të parë në një takim politik, të novelit të lartë, temë numër një nuk është Bashkimi Evropian, që mendoj se është rezultat i raporteve të cilat për momentin ekzistojnë dhe nuk është fare e lidhur me Maqedoninë, por me raportet e tyre të ndërsjellta. Ndërkaq temë ishte bashkëpunimi bilateral, ku kjo Qeveri është lavdëruar, për mbështetjen që e jep. Pati disa votime në OKB, ku Maqedonia ishte ndër shtetet e rralla që e mbështeti SHBA-në. Kështu që SHBA-ja është partnerja jonë strategjike numër një, ne kemki me ta marrëveshje për partneritet strategjik dhe mendoj se ky duhet të jetë prioriteti i politikës së jashtme, siç nënshkrujam tash së shpejti një marrëveshje të tillë edhe me Mbretërinë e Bashkuar. Kështu që ato janë qendrat jashtë Brukselit, drejt të cilave ne e kthejmë shikimin tonë", tha zëvendëskryeministri Nikollovski. ab/

Foto: Arkivi

 

QËNDRONI TË LIDHUR