• e enjte, 26 dhjetor 2024

Nikolloski: Pushteti përpiqet të bëjë manipulime për vendin në KSHZ që i takon opozitës

Nikolloski: Pushteti përpiqet të bëjë manipulime për vendin në KSHZ që i takon opozitës

Kavadar, 16 dhjetor 2023 (MIA) - Pushteti i ballafaquar me disfatën në zgjedhje, po përpiqet të bëjë çfarëdo manipulimesh, qoftë edhe për vendin në KSHZ që i takon opozitës dhe jo për të fituar zgjedhjet, por për të manipuluar për ndonjë deputet plus, deklaroi sot në Kavadar Aleksandar Nikolloski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

"Sa i përket qeverisë teknike, opozitës i takon ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Punës dhe Politikës Sociale dhe tre zëvendësministra edhe atë Financa, Bujqësia dhe Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratë. Dhe këtu po mendojmë seriozisht se çfarë hapi duhet të ndërmarrim duke marrë parasysh zhvillimet e fundit e ajo është se qeveria e përballur me rejtingun e ulët dhe humbjen e sigurt në zgjedhje po përpiqet të bëjë çfarëdo manipulimi jo për të fituar zgjedhjet, por për të manipuluar për ndonjë deputet plus", tha Nikolloski.

Ai ka theksuar se opinioni është duke i përcjellë zhvillimet me moszgjedhjen e anëtarit të KSHZ-së.

"Zaten, Aleanca për Shqiptarët u bë anëtare e Qeverisë gati një vit më parë dhe me këtë humbi vendin e saj në KSHZ. Sipas ligjit kjo i takon opozitës. Ligji thotë se KSHZ ka 7 anëtarë, 4 prej të cilëve i takojnë pushtetit dhe 3 opozitës. Për momentin ai vend është i paplotësuar edhe pse të gjithë e dinë që duhet të jetë i opozitës. Edhe pse janë shkelur disa ligje duke pasur parasysh se ligjet kanë norma dhe procedura të qarta se sa kohë duhet të plotësohet KSHZ-ja", shtoi ai.

Prandaj, shtoi ai, lojërat me këtë proces tregojnë se po mendojnë për manipulime në procesin zgjedhor.

"Dhe në këtë drejtim ne duhet të mendojmë seriozisht si VMRO-DPMNE se si të pozicionohemi në periudhën e ardhshme. Por ajo që mund të them me siguri është se nuk do të lejojmë që asnjë votë e qytetarëve të manipulohet njashtu edhe vullneti i qytetarëve", theksoi Nikolloski.

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR