• e enjte, 26 dhjetor 2024

Nga presioni i BE-së TikToku largoi më shumë se 500.000 mijë video për luftën Izrael-Hamas

Nga presioni i BE-së TikToku largoi më shumë se 500.000 mijë video për luftën Izrael-Hamas

Bruksel, 16 tetor 2023 (MIA) -  Platforma TikTok kumtoi se ka tërhequr 500.000 video dhe ka mbyllur 8.000 transmetime të drejtpërdrejta në lidhje me luftën midis Izraelit dhe Hamasit, disa ditë pasi BE i kujtoi asaj detyrimin e saj për të luftuar kundër përmbajtjeve jolegale. 

"Që nga 7 tetori, ne kemi hequr më shumë se 500.000 video dhe kemi mbyllur 8.000 transmetime të drejtpërdrejta në zonën e caktuar për shkelje të politikave tona", publikoi TikTok në blogun e tij, duke shtuar se kishte forcuar ekipet e tij të kontrollit rreth përmbajtjes.

Të enjten, Brukseli paralajmëroi rrjetin social kinez, të popullarizuar në mesin e të rinjve, për detyrimin e tij për të luftuar "përmbajtjet e jolegale" dhe "informacionet e rrejshme" në zbatimin e rregullores së re të BE-së për shërbimet digjitale (DSA).

"Keni një detyrim të veçantë për të mbrojtur (përdoruesit) nga përmbajtja e dhunshme ... e cila duket se po qarkullon në një numër të madh në platformën tuaj pa kontrolle specifike të sigurisë," shkroi komisari evropian për platformat digjitale Tieri Bretnon në letrën drejtuar shefit të TikTok-ut, Shu Zi Çu.

Komisari evropian ka lëshuar paralajmërime të ngjashme për platformat Meta, X (ish Tuiter) dhe Jutjub në një kohë kur platformat janë të vërshuara me përmbajtje të dhunshme dhe dezinformata për luftën e Izraelit me Hamasin palestinez.

"Menjëherë mobilizuam resurse të rëndësishme" për të implementuar "politikat tona kundër dhunës, duke përfshirë shoqërimin e anëtarëve kryesor të ekipit tonë global dhe 40.000 profesionistëve të sigurisë", informoi TikToku.

Ata, gjithashtu thanë se kanë përmirësuar sistemin për "zbulimin automatik proaktiv" të përmbajtjeve të tillë në kohë reale dhe kanë rritur numrin e kontrollorëve që flasin arabisht dhe hebraisht.

Për luftë kundër përmbajtjeve të rrejshme, TikToku kujton se punon me organizata për verifikimin e të dhënave, duke përfshirë France Press në më shumë se 50 gjuhë, duke përfshirë arabishten dhe hebraishten.

TikToku gjithashtu kufizon transmetimin e drejtpërdrejtë dhe disa "thurje".

Më shumë rrjete sociale tashmë janë përgjigjur kërkesave të Komisionit Evropian mes tyre edhe Meta dhe X.

Platforma X tha se kishte tërhequr ose shënuar dhjetëra mijëra mesazhe, por Brukseli duke e vlerësuar atë përgjigje si të pamjaftueshme, hapi një hetim më të thellë kundër rrjetit të Ilon Maskut, deklaroi sot Tieri Breton.

Kompania monitoruese "Visibrein" nga 7 tetori ka numëruar 166 milionë mesazhe për luftën të publikuar në Tuiter, Fejsbuk, Instagram, Jutjub dhe TikTok. Kjo është 47 për qind më shumë se sa Kupa e Botës në vitin  2022 e cila ishte një nga ngjarjet më të komentuara në botë. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR