• e diel, 20 tetor 2024

Netanjahu urdhëroi dërgesa shtesë të ndihmave humanitare në Gazë

Netanjahu urdhëroi dërgesa shtesë të ndihmave humanitare në Gazë

Jerusalem, 19 tetor 2024 (MIA) - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu urdhëroi rritje të konsiderueshme të dërgesave të ndihmave humanitare për banorët e Rripit të Gazës, njoftuan mbrëmë mediat izraelite, të cituara nga DPA.

Transmetuesi publik izraelit Kan publikoi se në të ardhmen, 250 kamionë në ditë do të sjellin ndihma humanitare në enklavën palestineze, ku lufta është duke vazhduer për më shumë se një vit.

Vendimi i Netanjahut është një reagim ndaj kërcënimeve të SHBA-së për të ndërprerë dërgesat e armëve për Izraelin nëse situata me popullsinë paqësore palestineze në Gazë nuk përmirësohet.

Sipas agjencisë izraelite përgjegjëse për çështjet palestineze, 50 kamionë me ndihma humanitare hynë në Gaza të mërkurën, ndërsa 30 të tjerë hynë dje.

Situata në pjesën veriore të enklavës konsiderohet jashtëzakonisht kritike. Sipas Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF, pothuajse një në pesë fëmijë në këtë zonë vuan nga kequshqyerja kërcënuese për jetën. Sipas OKB-së, rreth 500 kamionë në ditë dërgonin ndihma dhe mallra në Rripin e Gazës përpara fillimit të luftës tetorin e kaluar. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR