• e enjte, 26 dhjetor 2024

Netanjahu: Bota të bashkohet për ta mposhtur Hamasin, njejtë si i mposhti nazistët dhe Shtetin islamik

Netanjahu: Bota të bashkohet për ta mposhtur Hamasin, njejtë si i mposhti nazistët dhe Shtetin islamik

Tel-Aviv, 16 tetor 2023 (MIA) - Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu sot deklaroi se bota duhet të bashkohet për ta mposhtur Hamasin, siç paraprakisht u bashkua për t'i mposhtur terroristët e Shtetit islamik (SHI) apo nazistët, transmeton gazeta Gardian.

Në fjalimin e tij në Kneset, Netanjahu theksoi se populli izraelit është i bashkuar në qëllimin e tij për të fituar.

Netanjahu tha se do të jetë hetim për disfatat e zbulimit dhe të sigurisë që i lejuan militantët e Hamasit të kryejnë një sulm të tillë shkatërrues më 7 tetor, me ç'rast u vranë mbi 1.300 persona dhe u lënduan pothuajse 4.000, përderisa ende janë marrë 200 pengje.

Në fjalimin në Knesetin izraelit, ai theksoi se bota duhet të bashkohet për ta mposhtur Hamasin.

"Kjo luftë është edhe lufta juaj", theksoi kryeministri izraelit.

Ai shtoi se tani shumica në mbarë botën e kuptojnë se me çka po përballet Izraeli.

"Ata e kuptojnë se Hamasi paraqet një version të ri të nazizmit. Siç u bashkua bota për t'i mposhtur nazistët dhe Shtetin islamik, ashtu duhet të bashkohet për ta mposhtur Hamasin, tha kryeministri izraelit.

Netanjahu vlerësoi se lufta izraelite kundër grupeve terroriste në Rrpipin e Gazës është betejë ekzistenciale kundër fuqive të errësirës.

"Hamasi është pjesë e boshtit të së keqes të Iranit dhe Hezbollahut. Ata kanë për qëllim ta shtyjnë Lindjen e Afërt në humnerën e kaosit", theksoi Netanjahu.

Mediumet amerikane transmetojnë se në fjalimin e tij ai i paralajmëroi Iranin dhe Hezbollahun të mos e testojnë durimin e vendit të tij me sulme në veri.

"Edhe pas 75 viteve lufta për pavarësi nuk ka përfunduar. Do të fitojmë, sepse ekzistimi ynë këtu sillet në pikëpyetje", tha kryeministri izraelit në fjalimin e hapjes së sesionit dimëror të Knesetit izraelit. ab/

 

QËNDRONI TË LIDHUR