• e enjte, 26 dhjetor 2024

Ndihma për Ukrainën i kthen Sholcin dhe Makronin në armiq të hapur

Ndihma për Ukrainën i kthen Sholcin dhe Makronin në armiq të hapur

1 mars 2024

Politiko 

Dallimet mes kancelarit gjerman Olaf Sholc dhe presidentit francez Emanuel Makron për ndihmën për Ukrainën po kthehen në armiqësi të hapur, shkruan Politiko.

Këto dallime u bënë veçanërisht të dukshme pas deklaratave të Makronit për dërgimin e trupave në Ukrainë.

Paraprakisht, presidenti francez tha se BE-ja kishte rënë dakord të krijonte "koalicionin e nëntë të goditjes së thellë", duke furnizuar Ukrainën me raketa me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi. Ai tha gjithashtu se Franca do të bënte gjithçka që Rusia të mos "fitonte këtë luftë".

Sipas tij, liderët e vendeve perëndimore kanë diskutuar mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë, por ende nuk është arritur konsensus.

Menjëherë pas komenteve të Makronit, kancelari gjerman Olaf Sholc dhe ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius thanë se Gjermania nuk do të dërgonte trupat e saj në Ukrainë dhe Sholc theksoi se vendet e NATO-s në tërësi nuk do t'i dërgonin trupat e saj.

Përveç kësaj, kancelari përsëriti se nuk ka plane për të dërguar raketa me rreze të gjatë "Taurus" në Ukrainë.

"Dallimet midis Sholcit dhe Makronit rreth ndihmës ushtarake për Ukrainën po zhvillohen në diçka si armiqësi të hapur," thotë Politiko.

Politiko, duke cituar zyrtarë gjermanë, tha se Makron është i gatshëm për "bisedime të ashpra" për Ukrainën, por nuk kishte ndërmarrë veprime të mjaftueshme në krahasim me Berlinin.

Faqja vëren, duke iu referuar të dhënave nga Instituti i Ekonomisë Botërore nga Kiel, se Gjermania ka dhënë ose premtuar më shumë se 17 miliardë euro ndihmë për Ukrainën, ndërsa Franca - vetëm 640 milionë euro.

"Autoritetet franceze pretendojnë se sigurojnë armët që kanë vërtet rëndësi dhe me më pak hezitim sesa gjermanët", shtoi ueb faqja.

Politiko krahason gjithashtu qasjen e dy vendeve për të ndihmuar Ukrainën, duke vënë në dukje hezitimin e madh të Gjermanisë për të dërguar disa lloje të armëve, siç janë raketat "Taurus". Gazeta vë në dukje gjithashtu se pas samitit në Paris të hënën, Makron dukej se po shkonte pas Sholcit për shkak të "mosgatishmërisë historike" të Gjermanisë për të dërguar armë në Ukrainë.

Më herët, kancelari gjerman Olaf Sholc publikoi një video-mesazh special në të cilin theksoi sërish se NATO nuk do të bëhet palë në konfliktin në Ukrainë dhe se ushtarët gjermanë nuk do të dërgohen në Ukrainë. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR