• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Ndërmjetësuesi amerikan në Bejrut me shpresë se do të arrihet marrëveshje për armëpushim mes Izraelit dhe Hezbollahut

Ndërmjetësuesi amerikan në Bejrut me shpresë se do të arrihet marrëveshje për armëpushim mes Izraelit dhe Hezbollahut

 Bejrut, 19 nëntor 2024 (MIA) - Ndërmjetësuesi amerikan për Lindjen e Mesme Amos Hohshtajn herët këtë mëngjes mbërriti në Bejrut në përpjekje për të finalizuar marrëveshjen e armëpushimit që do t'i jepte fund luftës së vazhdueshme midis Izraelit dhe Hezbollahut, deklaroi një burim qeveritar, raportoi DPA.

 Sipas burimit, diplomati amerikan rreth mesditës duhet të takohet me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Nabih Beri, i cili përfaqëson Hezbollahun në negociata.

 Prej javësh në media kanë qarkulluar detaje të propozimit të supozuar amerikan për armëpushim.

 Sipas burimeve libaneze të sigurisë, Izraeli dhe Hezbollahu fillimisht do të ndërpresin armiqësitë për 60 ditë. Gjatë kësaj periudhe, ushtria izraelite duhet të tërhiqet nga Libani dhe forcat e armatosura libaneze duhet të vendosen përgjatë kufirit.

 Pas 60 ditësh, Izraeli dhe Libani pritet të zhvillojnë bisedime për zbatimin e plotë të rezolutës 1701 të KB-së. Hezbollahu thuhet se e konsideron draftin e SHBA-së si bazë për negociata të mëtejshme.

 Ushtria izraelite e ka zgjeruar masivisht ofensivën e saj që nga shtatori në Liban, ku thotë se po përpiqet të shtyjë Hezbollahun nga kufiri i saj verior, në mënyrë që banorët të mund të kthehen në shtëpitë e tyre. Avionët luftarakë bombarduan objektiva në të gjithë vendin dhe shpesh në periferi në jug të Bejrutit.

 Milicia e Hezbollahut, e cila filloi sulmet e saj ndaj Izraelit në solidaritet me palestinezët në Rripin e Gazës më 8 tetor, qëlloi kundër Izraelit dhe dhjetëra mijëra njerëz në Izraelin verior i lëshuan shtëpitë e tyre.

 Izraeli filloi fushatën e tij ushtarake në Gazë për të eliminuar Hamasin pas sulmeve terroriste të 7 tetorit në Izraelin jugor. qa/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR