• e enjte, 11 korrik 2024

NATO mbetet e përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor

NATO mbetet e përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor

Uashington, 11 korrik 2024 (MIA) – Në deklaratën e përbashkët të miratuar në Samitin e NATO-s në Uashington, ndër të tjera theksohet se Aleanca do të mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, një rajon “me rëndësi strategjike për Aleancën Veriatlantike”.

"Do të vazhdojmë të përmirësojmë dialogun politik dhe bashkëpunimin praktik me Ballkanin Perëndimor për të mbështetur reformat, paqen dhe sigurinë rajonale dhe për të luftuar ndikimet malinje, përfshirë dezinformimin, kërcënimet hibride dhe kibernetike të paraqitura nga aktorët shtetëror dhe joshtetëror", theksohet në deklaratë.

Në dokument theksohet se vlerat demokratike, sundimi i ligjit, reformat e brendshme dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë të një rëndësie jetike për bashkëpunimin rajonal dhe integrimet euroatlantike dhe se pritet progres i vazhdueshëm në këtë rrafsh.

Në deklaratë gjithashtu theksohet se NATO mbetet e përkushtuar për angazhimin e vazhdueshëm në Ballkanin Perëndimor duke përfshirë edhe Forcat e Kosovës (KFOR).

Në Samitin në Uashington, liderët e shteteve anëtare premtuan se do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën në "rrugën e pakthyeshme drejt integrimit të plotë euroatlantik, përfshirë edhe anëtarësimin në NATO" dhe paralajmëruan ndihmë prej 40 miliardë euro gjatë vitit të ardhshëm. Ata i bënë thirrje Kinës që të ndalojë të mbështes Rusinë në luftën kundër Ukrainës.

Foto: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR