• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

NATO i bëri thirrje Iranit të ushtrojë ndikim ndaj rebelëve Huthë

NATO i bëri thirrje Iranit të ushtrojë ndikim ndaj rebelëve Huthë

Bruksel, 12 janar 2024 (MIA) - NATO sot njoftoi se Irani duhet ta shfrytëzojë ndikimin e vet për t'i kontrolluar rebelët Huthë të Jemenit të cilët janë të mbështetur, furnizuar dhe pajisur nga Teherani, transmeton DPA. 

"Irani ka përgjegjësi të veçantë kur bëhet fjalë për "të mbrojturit" e tij", deklaroi zëdhënësi i NATO-s, Dilan Vajt. 

"Sulmeve të Huthëve duhet t'u vijë fundi", shtoi Vajt, transmeton DPA.

Që nga shpërthimi i luftës së Gazës mes Izraelit dhe Hamasit në tetor të vitit 2023, huthët e mbështetur nga Irani kanë sulmuar vazhdimisht anijet në Detin e Kuq të dyshuar për lidhje me Izraelin.

Kompanitë e mëdha të anijeve po shmangin gjithnjë e më shumë rrugën përgjatë këtij deti, gjë që i detyron ato t'i drejtojnë anijet përgjatë një rruge shumë më të gjatë dhe më të shtrenjtë rreth Afrikës së Jugut.

Si përgjigje, SHBA-ja, Britania e Madhe dhe aleatët e tjerë perëndimorë këtë mëngjes filluan sulmet ajrore në disa pozicione të Huthëve në Jemen.

NATO, më herët sot doli me mendimin se këto sulme amerikano-britanike kanë karakter mbrojtës dhe synojnë të ruajnë lirinë e lundrimit në një nga rrugët ujore më të rëndësishme në botë. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR