• e shtunë, 23 nëntor 2024

NASA: Liqeni i Prespës nga viti 1984 deri në vitin 2020 humbi shtatë për qind të sipërfaqes

NASA: Liqeni i Prespës nga viti 1984 deri në vitin  2020 humbi shtatë për qind të sipërfaqes

Bruksel, 14 shtator 2023 (MIA) - Liqeni i Prespës, i cili shtrihet për rreth 260 kilometra katrorë, që është më shumë se dyfishi i territorit të Parisit, ka humbur shtatë për qind të sipërfaqes dhe gjysmën e vëllimit të saj midis viteve 1984 dhe 2020, raporton sot "Euraktiv", duke cituar raportin e NASA-s.

Duke vënë në dukje se më shumë se dy të tretat e liqenit i përket vendit dhe pjesa tjetër Greqisë dhe Shqipërisë, portali thekson se është një nga liqenet më të vjetër në Evropë, pesë milionë vjet i vjetër, ku jetojnë më shumë se 2000 lloje të peshqve, shpendëve, gjitarëve dhe bimëve.

Peshkatari vendas Vanço Vasilevski thotë për "Euraktiv" se varka e tij ngec shpesh, duke shtuar se vetëm në dy-tre muajt e fundit niveli i ujit ka rënë për 36 centimetra, ndërsa në ditët e fundit "ndoshta edhe dy-tre centimetra".

"Do të ulet më shumë. Pa shi, pa dimër, pa borë, pa lumenj. Në liqen hyn vetëm një lumë... Kjo është fatkeqësi, fatkeqësi natyrore", shton Vasilevski.

Në tekst thuhet se uji në Liqenin e Prespës tani është më shumë se tetë metra nën nivelin e fundit të viteve 1970-të, duke shtuar se Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka paralajmëruar se disa lloje të kafshëve të egra në liqen janë në rrezik të zhdukjes, për shkak të "shkatërrimit të habitatit të tyre nëpërmjet praktikave të dëmshme bujqësore, erozionit dhe shkarkimit të mbetjeve dhe ujërave të zeza të patrajtuara".

"Çdo rënie e nivelit të ujit mund të ndikojë edhe në liqenin shumë më të madh të Ohrit, i cili është vetëm 10 kilometra larg Prespës dhe që merr rreth një të tretën e ujit nga liqeni i Prespës. Ambientalistët thonë se mungesa e shiut, avullimi dhe përdorimi i tepërt i ujit për ujitje nga të tre vendet janë arsyet kryesore për humbjen e tij", shtohet në tekst.

Biologu Dragan Arsovski nga Shoqata Gjeologjike e Maqedonisë thotë për portalin se niveli i liqenit u ngrit dhe ra gjatë shekujve dhe natyra mbijetoi, por sot njerëzit nuk arrijnë të përshtaten dhe të ndërmarrin veprime.

"Ka disa gjëra kur bëhet fjalë për ndryshimet klimatike globale që ne thjesht nuk mund t'i ndryshojmë dhe duhet të përshtatemi me atë që po vjen. Disa gjëra mund t'i ndryshojmë, siç janë zakonet tona të përditshme", thekson Arsovski.

Për më tepër, përdorimi i pesticideve nga pemëtarët, të cilat përmes tokës kalojnë në ujërat nëntokësore, e prej andej në liqenin e Prespës dhe kudo tjetër, është një kërcënim shtesë për speciet endemike në liqen, shtohet në tekst. sa/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR