• e enjte, 26 dhjetor 2024

Në Turqi 1.2 milionë njerëz mbetën pa kulm mbi kokë

Në Turqi 1.2 milionë njerëz mbetën pa kulm mbi kokë

Ankara, 13 shkurt 2023 (MIA) - Për shkak të pasojave nga tërmetet shkatërruese që para një javësh goditën kufirin turko-sirian, 1.2 milionë njerëz mbetën pa kulm mbi kokë në pjesën juglindore të Turqisë, kumtoi kabineti i presidentit turk.

Druhet se deri tani nga rrënojat me gjasë janë nxjerrë edhe të mbijetuarit e fundit. Të hënën në mbrëmje, një 13-vjeçar i gjallë është nxjerrë dhe dërguar në provincën turke Hataj, pasi kishte kaluar plot 182 orë nën to, raportoi televizioni shtetëror TRT. Në video shihet se si një vullnetar e mban për dore. Një vajzë 10-vjeçare madje u nxor nga rrënojat e një ndërtese në provincën jugore turke Kahramanmaras dhe u shpëtua, 183 orë pas tërmetit shkatërrues, njofton televizioni shtetëror TRT Haber. Edhe në rajonin juglindor të Adijaman, gjatë ditës së sotme, një vajzë gjashtë vjeçare u gjet nën rrënoja dhe u nxor 178 orë pas tërmetit, kumtoi ministria e Mbrojtjes së Turqisë. Mbijetesa e tre fëmijëve për një kohë kaq të gjatë i tejkaloi të gjitha kufijtë e mëparshëm normal. Parashikimet për shpëtim dhe mbijetesë të mëtejshme janë jashtëzakonisht të vogla.

Ndërkohë, rreth 176.000 tenda janë ngritur në provincat më të goditura të Turqisë. Agjencia e fatkeqësive AFAD publikoi se punëtorët e tyre kishin vendosur mijëra kontejnerë strehimi.

Thuajse 400.000 njerëz deri tani janë evakuuar nga zonat e prekura nga tërmeti, tregojnë të dhënat e kabinetit presidencial. Agjencia turke e lajmeve Anadollu publikoi se autoritetet po kryejnë inspektime për të vërtetuar se cilat ndërtesa banimi në dhjetë provincat e goditura nga tërmeti janë ende të banueshme.

Që nga pasditja e së hënës, më shumë se shtatë mijë e gjysmë ndërtesa tashmë janë shembur ose është dashur me urgjencë të rrënohen, tha Banu Aslan, drejtor i departamentit të ndërtimit.

Numri i përgjithshëm i viktimave të konfirmuara deri më tani është më shumë se 37.500, ndërsa më shumë se 80.000 njerëz janë lënduar.

Vetëm në Turqi, numri i të viktimave është rritur në 31.643, raporton Anadollu duke cituar AFAD. Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), në Sirinë fqinje jetën e kanë humbur të paktën 5.900 njerëz.

 

QËNDRONI TË LIDHUR