• e enjte, 26 dhjetor 2024

Në Shqipëri dhe në janar, një rënie e lehtë e inflacionit

Në Shqipëri dhe në janar, një rënie e lehtë e inflacionit

Dibër, 10 shkurt 2023 (MIA) - Për të tretin muaj radhazi niveli i inflacionit në Shqipëri shënon rënie të lehtë.

Sipas të dhënave të Institutit Shtetëror të Statistikave, INSTAT, niveli i inflacionit, muajin e kaluar ishte 7.1 për qind, duke ndjekur trendin e uljes, nga 7.4 për qind sa ishte në dhjetor, gjegjësisht 7.9 në nëntor.

"Ecuria e këtij treguesi duket se është diktuar edhe nga situata në Eurozonë ku edhe atje inflacioni ka shfaqur prirje rënëse, pasi një pjesë e mirë e inflacionit në vend është i importuar. Por, edhe pse rritja e çmimeve ka qenë më e ngadaltë muajin e kaluar, sërish ushqimet vijojnë të mbeten ndjeshëm të shtrenjta dhe rritja për këtë grup ishte 4.6 për qind këtë periudhë", lajmëroi Top çaneli.

Brenda këtij grupi, më të shtrenjta rezultojnë produktet e bulmetit, yndyrnat dhe buka që kanë parë një rritje çmimesh dyshifrore. Edhe çmimet e karburanteve kanë parë një stabilizim së fundmi në tregun ndërkombëtar duke u reflektuar edhe në tregun shqiptar.

"Nafta ka parë rënie graduale të çmimit. Për herë të parë që prej marsit zbriti pak ditë më parë poshtë nivelit të 200 lekë për litër, duke iu rikthyer thuajse niveleve të paraluftës. Së bashku me ushqimet, përbëjnë edhe peshën kryesore të ndikimin në ecurinë e inflacionit si dhe shpenzimeve të shqiptarëve, ku për të dyja grupet çojnë gati gjysmën e buxheteve familjare", shton televizioni. 

Megjithatë, çmimet po rriten për kategori të tjera si qiratë, për të mobiluar shtëpitë apo për grupe si bare e restorante si dhe për mallra e shërbime të tjera. 

Me gjithë prirjen rënëse, inflacioni vijon të mbetet i lartë mbi dyfish më shumë se objektivi i Bankës Qendrore prej  3për qind, për të cilin ajo pret të kthehet në ekuilibër brenda pjesës së parë të vitit 2024. 

Inflacioni në Shqipëri vitin e kaluar arriti nivele rekord dhe në tetor arriti në 8.3 për qind, më i larti në dy dekadat e fundit, por gjithsesi ishte më i ulëti krahasuar me vendet e rajonit. ar/

 

QËNDRONI TË LIDHUR