• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Në raportin për shkeljet e të drejtave të fëmijëve në konflikte, KB-ja shton Rusinë në 'listën e turpit'

Në raportin për shkeljet e të drejtave të fëmijëve në konflikte, KB-ja shton Rusinë në 'listën e turpit'

Nju-Jork, 22 qershor 2023 (MIA) - Forcat e armatosura të Rusisë dhe grupet e armatosura të lidhura me to janë shtuar në "listën e turpit" të KB-së për shkeljen e të drejtave të fëmijëve gjatë konfliktit, për shkak të veprimeve të tyre në Ukrainë, thuhet në kopjen e raportit vjetor të Sekretarit të përgjithshëm të KB-së.

"Unë jam veçanërisht i tronditur nga numri i madh i sulmeve ndaj shkollave, spitaleve dhe personelit të sigurisë, si dhe numrit të madh të fëmijëve të vrarë dhe të gjymtuar që u atribuohen forcave ruse dhe grupeve të armatosura të lidhura me to”, tha Antonio Guteresh në raportin për vitin 2022, që do të publikohet javën e ardhshme, e në të cilën mediat franceze kishin qasje.

Sipas raportit të shpërndarë sot deri te anëtarët e Këshillit të Sigurimit të KB-së, Organizata botërore konfirmoi se në Ukrainë në vitin 2022 janë vrarë 477 fëmijë, nga të cilët për 136 fëmijë ishin përgjegjës forcat ruse dhe grupet përkatëse, ndërsa për 80-të forcat e armatosura ukrainase.

Ai zbuloi se kishte 909 raste të fëmijëve të gjymtuar, nga të cilët 518 raste u atribuoheshin forcave ruse dhe grupeve aleate, ndërsa 175 raste u atribuoheshin forcave ukrainase.

Edhe pse forcat e armatosura të Ukrainës nuk u përfshinë në aneksin ku janë emërtuar ata që janë përgjegjës për këto shkelje, raporti, i quajtur "lista e turpit", megjithatë paralajmëron Ukrainën për numrin e fëmijëve të vrarë dhe të gjymtuar dhe për sulmet në shkolla dhe spitale.

Sekretari i përgjithshëm paralajmëroi se në raportin e ardhshëm do t'i përkushtojë vëmendje të veçantë kësaj situate. qa/bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR