• e premte, 27 dhjetor 2024

Në Podgoricë hapet Forumi i tretë rajonal i inovacionit "Butterfly"

Në Podgoricë hapet Forumi i tretë rajonal i inovacionit

Podgoricë, 26 nëntor 2024 (MIA)- Forumi i tretë vjetor rajonal i Inovacionit “Butterfly” i organizuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) u hap sot në kryeqytetin malazez të Podgoricës.

Tubimi që mblodhi mendjet më inovative të rajonit u çel nga Pranvera Kastrati, Drejtore e Departamentit të Programeve në RCC dhe Marija Bajraktaroviq Lanzardi, drejtore e Drejtorisë për Ekonominë Digjitale dhe Zhvillimin Teknologjik në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit të Malit të Zi.

“Ballkani Perëndimor ka bërë hapa të dukshëm në përmirësimin e performancës së inovacionit gjatë viteve të fundit, por ende jemi nën 70% të mesatares së Bashkimit Evropian. Ndërkohë që kjo thekson sfidat që kemi përpara, unë preferoj të fokusohem te progresi që kemi arritur dhe potenciali për rritje të mëtejshme. Përmes zbatimit të Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM), RCC ka mbështetur ekosistemin rajonal të inovacionit duke nxitur bashkëpunimin mes ekonomive, përmirësuar infrastrukturat e kërkimit dhe inovacionit, promovuar gratë në STEM dhe festuar arritjet përmes nismave si Forumi dhe Çmimi Butterfly”, tha Pranvera Kastrati, drejtore e Departamentit të Programeve në RCC.

“Duke parë përpara, fokusi ynë do të jetë forcimi i lidhjeve midis akademisë dhe bizneseve, mbështetja e prodhimit në teknologjitë e avancuara dhe të gjelbra, si dhe nxitja e përdorimit efektiv të infrastrukturave kërkimore, si Parku i Shkencës dhe Teknologjisë në Podgoricë, ku jemi mbledhur sot, për qëllime rajonale. Për të nxitur me të vërtetë inovacionin në Ballkanin Perëndimor, duhet të përqafojmë bashkëpunimin dhe partneritetet, duke bashkuar burimet dhe ekspertizën tonë për të krijuar një ekosistem inovacioni të suksesshëm prej të cilit përfitojnë të gjithë. Së bashku, mund t’a jetësojmë vizionin tonë për një rajon më inovativ dhe të lidhur me realitetin”, përfundoi Kastrati.

Forumi i Inovacionit “Butterfly” është një ngjarje kyçe rajonale e dedikuar për të nxitur bashkëpunimin dhe inovacionin në të gjithë Ballkanin Perëndimor. I organizuar nga RCC për të tretin vit rradhazi, Forumi mblodhi ekspertë të shquar, politikëbërës, inovatorë dhe liderë të biznesit për të eksploruar trendet më të fundit në inteligjencën artificiale, rritjen e gjelbër dhe konkurueshmërinë e udhëhequr nga inovacioni. Me një agjendë dinamike që përfshin biseda të shpejta, diskutime në panel dhe mundësi rrjetëzimi, ngjarja tregon potencialin e rajonit për të nxitur ndryshime transformuese përmes inovacionit dhe veprimit të përbashkët.

Duke theksuar rëndësinë e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe të zgjuara, Forumi trajton një gamë të gjerë temash, përfshirë forcimin e bashkëpunimit rajonal, avancimin e investimeve në inteligjencën artificiale të gjelbër dhe shfrytëzimin e teknologjive të zgjuara për të luftuar ndryshimet klimatike. Pjesëmarrësit gjithashtu do të eksplorojnë mënyrat për të mbyllur hendekun mes akademisë dhe biznesit, bashkimin e burimeve për ndikim më të madh dhe festimin e inovacioneve kryesore rajonale në Çmimet e Inovacionit Butterfly. Forumi është dëshmi e angazhimit të rajonit për të ndërtuar një ekosistem inovativ të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës që mund të konkurrojë në shkallë globale.

Pas Forumit, sonte RCC do të shpallë gjashtë fituesit e Çmimit të Inovacionit në Ballkanin Perëndimor për idetë e tyre inovative. Po ashtu, RCC, në bashkëpunim me UNDP-në do të organizojë një ngjarje paralele nesër, më 27 nëntor në Podgoricë, ku do të prezantohet një platformë vetëvlerësimi e biznesit, lidhur me matjen e gatishmërisë digjitale të bizneseve në rajon.

Forumi dhe Çmimi i inovacionit “Butterfly” si dhe çmimi “Aftësitë për punë”, janë pjesë e Zonës rajonale të inovacionit në Planin e veprimit të Tregut të përbashkët rajonal. Krijuar në vitin 2021 për të inkurajuar dhe promovuar zgjidhje inovative të shkallëzuara dhe të bazuara në treg nga Ballkani Perëndimor, Forumi dhe Çmimi synojnë të thellojnë kuptimin e mundësive aktuale të inovacionit, përmirësimin e performances së inovacionit në rajon si dhe zhvillimin e ekosistemit rajonal të inovacionit. Këto aktivitete financohen nga Bashkimi Evropian.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR