• e enjte, 26 dhjetor 2024

Në një sulm në tre fshatra në Burkina Faso vriten 170 persona

Në një sulm në tre fshatra në Burkina Faso vriten 170 persona

 Ugadugu, 3 mars 2024 (MIA) - Sulmues të panjohur para një jave  kanë vrarë rreth 170 persona në tre fshatra në veri të Burkina Fasos, bëri të ditur sot prokurori rajonal, njoftuan mediat franceze.

Prokurori Ali Benxhamin Kulibali sot deklaroi se më 25 shkurt është informuar për "sulme të mëdha vdekjeprurëse" në fshatrat Komsilga, Nodin dhe Soroe, në provincën Jatenga, në veri të vendit. 

Sipas informacioneve fillestare që kanë arritur tek ai, në sulm kanë humbur jetën 170 persona, ndërsa ka pasur edhe shumë të plagosur, me dëme të mëdha materiale. 

 Mes viktimave ka shumë gra dhe fëmijë, shtoi prokurori dhe kërkoi nga policia gjyqësore nisjen e hetimeve.

Në pjesën verilindore të Burkina Fasos javën e kaluar janë vrarë 15 persona   në një sulm ndaj një kishe katolike. Në tre vitet e fundit, kishat kanë qenë një objektiv i shpeshtë i sulmeve dhe dhjetëra besimtarë janë vrarë. 

Burkina Faso që nga viti 2015 vazhdimisht lufton me sulmet xhihadiste të lidhura me Al-Kaedën dhe Shtetin Islamik, që gjatë viteve të fundit  janë përhapur nga Mali fqinj.   Nga sulmet e islamistëve, deri më tani kanë vdekur 20.000 persona, ndërsa dy milionë janë zhvendosur.

 Islamistët për momentin kontrollojnë një të tretën e Burkina Fasos.

Foto: EPA 

 

QËNDRONI TË LIDHUR