• e enjte, 26 dhjetor 2024

Në Mal të Zi, BeH dhe pjesë të Kroacisë alarm i kuq për valën e të nxehtit

Në Mal të Zi, BeH dhe pjesë të Kroacisë alarm i kuq për valën e të nxehtit

Podgoricë, 16 korrik 2024 (MIA) - Vendet e rajonit edhe sot janë nën paralajmërimet meteorologjike për valën e të nxehtit. Në të gjithë Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinë, si dhe në pjesë të Kroacisë është shpallur alarm i kuq për valën e të nxehtit, ndërsa temperaturat e parashikuara në disa vende do të arrijnë mbi 40 gradë Celsius.

Kur është fjala për Kroacinë, më nxehtë mëngjesin e sotëm ka qenë në Dubrovnik, 27.5 gradë. Meteorologët kroatë parashikojnë se vapa do të vazhdojë edhe në pjesën e dytë të javës, veçanërisht në Adriatik, ndërsa në brendësi reshjet më të shpeshta do të sjellin freskim të përkohshëm i cili do të jetë veçanërisht i theksuar ditën e premte.

Instituti Hidrometeorologjik Republikan i Republikës Srpska ka lëshuar paralajmërim për shkak të vazhdimit të valës së të nxehtit në të gjithë zonën. Temperatura e ajrit sot do të arrijë në 42 gradë Celsius.

Paralajmërimi i kuq është edhe në territorin e gjithë Federatës së Bosnje-Hercegovinës dhe temperaturat në rajonin e Mostarit do të arrijnë rreth 42 gradë Celsius, në rajonin e Vishegradit temperatura maksimale e ajrit do të lëvizë ndërmjet 37 dhe 42 gradë, ndërsa në male rreth 30 gradë.

Apelohen qytetarët që të marrin masa paraprake gjatë periudhës më të nxehtë të ditës dhe të mos ekspozohen ndaj përpjekjeve të mëdha. Paralajmërimi vlen veçanërisht për të moshuarit dhe personat me shëndet të dobët dhe fëmijët. Nuk përjashtohet shfaqja e një stuhie në zonat malore.

Në të gjithë Malin e Zi është shpallur alarm i kuq për shkak të valës së nxehtë, ndërsa pasdite pritet të ketë vranësira. Temperatura maksimale parashikohet nga 36 deri në 43 gradë, ndërsa indeksi UV do të jetë i lartë – 10.

Mot shumë i nxehtë me temperatura mbi 41 gradë do të jetë i pranishëm sot në territorin e Maqedonisë së Veriut, ndërsa i njëjti parashikohet edhe për ditët në vijim. Për shkak të valës së të nxehtit, qeveria vendosi që gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç të përjashtohen nga detyra deri të enjten. Punëdhënësve u rekomandohet të riorganizojnë aktivitetet e punës për të shmangur ndërtimet dhe aktivitetet e tjera fizike në hapësirë në periudhën nga ora 11 deri në 17 dhe kopshtet nuk duhet t'i nxjerrin fëmijët jashtë gjatë asaj periudhe të ditës. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR