• e mërkurë, 13 nëntor 2024

Në Londër sot bëhet kurorëzimi i mbretit britanik Çarllsi i Tretë

Në Londër sot bëhet kurorëzimi i mbretit britanik Çarllsi i Tretë

Londër, 6 maj 2023 (MIA) - Britania e Madhe këtë fundjavë shënon një ngjarje historike, kurorëzimin e mbretit Çarllsi i Tretë me ceremoni fetare të vjetër 1.000 vjet dhe festë dyditore në vend me koncert në kështjellën Uindzor.

Ceremonia e kurorëzimit sot fillon në orën 11 sipas kohës londineze dhe do të zgjasë rreth dy orë nën udhëheqjen e udhëheqësit shpirtëror të Kishës së Anglisë, kryepeshkopit Xhastin Uellbi.

Para shkuarjes të çiftit mbretëror me karrocë në Kishën e Uestminsterit, është paraparë mbërritja e zyrtarëve.

Ceremonia fetare do të shënohet me pjesë muzikore nga repertori klasik, si dhe me kompozime të reja, në mënyrë që të përshkruajë rolin e sotëm të murgut që shikon nga e ardhmja, i rrënjosur ende në traditën dhe shkëlqimin historik.

Edhe pse Çarllsi i Tretë (74) donte një ceremoni më modeste me rreth 2.300 të ftuar, duke përfshirë personalitete shtetërore të huaja, anëtarë të monarkive të tjera dhe përfaqësues të shoqërisë civile, disa faza të ceremonisë së kurorëzimit nuk mund të anashkalohen.

Çarllsi do të betohet dhe do të bekohet nga kryepeshkopi i Kenterberit, pas çka do t'i vendoset kurora e Shën Eduardit në kokë. Ai do të marrë rroba mbretërore, një top ( glob i artë me kryq) dhe një skeptër mbretëror.

Mbretëresha Kamila, bashkëshortja e dytë e Çarllsit pas shkurorëzimit të tij me princeshën Dajana, gjithashtu do të kurorëzohet. 

Çifti mbretëror, i shoqëruar nga pothuajse 4.000 ushtarë, me karrocë do të niset drejt Pallatit të Bakingamit. Familja mbretërore pastaj do të dalë në ballkonin e pallatit që ta përshëndesë turmën.

Festa në Britaninë e Madhe me rastin e kurorëzimit të mbretit do të zgjasë dy ditë. Nesër në Pallatin e Bakingamit do të mbahet e ashtuquajtura “drekë e madhe”, ku do të ndahet ushqimi "kish mbretëror" i krijuar posaçërisht për ceremoninë.

Nesër në mbrëmje do të ketë koncert në kështjellën Uindzor para rreth 20.000 njerëzve. Në koncert do të performojnë shumë artistë si këngëtarja e njohur botërore Kejti Peri, Lajonel Riçi dhe Andrea Boçeli.

E hëna do të jetë ditë jopune. Familja mbretërore më parë ju bëri thirrje britanikëve që në atë ditë të bëjnë aktivitete vullnetare. fc/

Fotografitë: EPA



QËNDRONI TË LIDHUR