• e enjte, 26 dhjetor 2024

Në Lampeduza këtë fundjavë kanë arritur pothuajse 1.000 emigrantë

Në Lampeduza këtë fundjavë kanë arritur pothuajse 1.000 emigrantë

Romë, 13 gusht 2023 (MIA) - Pothuajse 1.000 emigrantë kanë mbërritur nga dje në ishullin italian Lampeduza, pasi kanë kaluar me anije Mesdheun, njoftoi sot ANSA.

Paraditen e sotme rojet bregdetare italiane sollën në bregdetin italian rreth 270 persona, të cilët mbërritën me gjashtë mjete lundruese, ndërsa dje 718 emigrantë të tjerë kanë mbërritur në Lampeduza me 27 varka.

ANSA shkruan se emigrantët kanë ardhur nga Kongoja, Bregu i Fildishtë, Burkina Faso, Kameruni, Guinea, Nigeria, Senegali dhe Mali dhe u thanë gazetarëve se ishin nisur nga qytetet bregdetare tuniziane të Sfaks, Gabes dhe Mahdia.

Kapaciteti i qendrës së pritjes në Lampeduza është 400 persona, javë më parë ishte e mbipopulluar dhe aktualisht atje janë më shumë se 2000 emigrantë.

Autoritetet italiane planifikojnë të transferojnë disa qindra prej tyre me traget në Sicili.

Të dhënat nga Ministria italiane e Punëve të Brendshme tregojnë se mbi 96.300 emigrantë kanë mbërritur në Itali vetëm këtë vit përmes rrugës së rrezikshme detare përmes Mesdheut, krahasuar me rreth 45.700 vitin e kaluar. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR