• e enjte, 26 dhjetor 2024

Në Kosovë arrestohen dy serbë të dyshuar për krime lufte në vitet 1998-99

Në Kosovë arrestohen dy serbë të dyshuar për krime lufte në vitet 1998-99

Prishtinë, 5 gusht 2023 (MIA) - Policia e Kosovës njoftoi se sot ka arrestuar një person të përkatësisë serbe i cili dyshohet se ka kryer krime lufte gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-99, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Sipas njoftimit të policisë, 69-vjeçari serb me inicialet Zh.Z., në kohën kur dyshohet se ka kryer krimet ndaj civilëve shqiptarë, ka qenë shef i një nënstacioni policor në fshatin Rakosh të komunës së Istogut.

Arrestimi i Zh.Z. vjen një ditë pasi për të njëjtën akuzë u arrestua edhe eprori i tij, gjegjësisht shefi i policisë në Istog, Momir Pantiq.

“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës (DHKL), kanë arritur që sot, më  05.08.2023, rreth orës 12:30, në fshatin Lubozhdë të komunës së Istogut të lokalizojnë dhe të arrestojnë të dyshuarin Zh.Z., viti i lindjes 1954, i dyshuar për veprën penale 'Krime lufte kundër popullatës civile” të kryer gjatë vitit 1998-1999 në Komunën e Istogut”, thuhet në komunikatën e policisë.

Ndërkaq, të premten është arrestuar në vendkalimin kufitar Merdar, ish-shefi i milicisë në Istog, Pantiq i cili poashtu dyshohet për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullsisë civilë në Kosovë në vitet 1998-99.

QËNDRONI TË LIDHUR