Në Ferizaj janë arrestuar dy shqiptarë, të dyshuar se kanë spiunuar në favor të Serbisë
- Policia e Kosovës sot në Ferizaj ka arrestuar dy persona, për të cilët, sipas njohurive operative të Agjencisë kosovare të Intelegjencës (AKI), ekziston dyshim se kanë kryer spiunim në favor të Serbisë, njoftuan disa mediume të Kosovës.
- Post By Besnik Shuki
- 14:21, 5 qershor, 2024
Prishtinë, 5 qershor 2024 (MIA) - Policia e Kosovës sot në Ferizaj ka arrestuar dy persona, për të cilët, sipas njohurive operative të Agjencisë kosovare të Intelegjencës (AKI), ekziston dyshim se kanë kryer spiunim në favor të Serbisë, njoftuan disa mediume të Kosovës.
Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina, mediumet njoftojnë se bëhet fjalë për shqiptarë të Kosovës, të cilët kanë bashkëpunuar me Agjencinë e intelegjencës serbe - BIA.
Burime nga policia e Kosovës deklaruan për mediumet se të arrestuarit kanë punuar për struktura të shërbimit serb të zbulimit brenda në Kosovë.
Shumica e mediumeve i publikojnë inicialet e të arrestuarve - B.Sh. dhe M.Q., ndërsa portali "Paparaci" e zbulon edhe identitetin e tyre dhe njofton se bëhet fjalë për personat Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi.
Aksioni i udhëhequr nga Drejtoria për krime të rënda pranë policisë së Kosovës vazhdon me bastisje në pronat e të dyshuarve, njoftojnë mediumet.
Portali "Gazeta ekspres" pohon se njëri nga të arrestuarit (duke mos përmedur se cili prej të dyve) ka qenë nëpunës doganier në periudhën 1990-99, ndërsa pas luftës ka vazhduar ta kryejë funksionin doganer në kohën e administratës së Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.
Nga policia ende nuk ka konfirmim zyrtar për aksionin dhe arrestimin. bsh/
Foto: MIA arkiv