• e shtunë, 23 nëntor 2024

Në Afganistan sot përfundon afati për mbylljen e salloneve të bukurisë

Në Afganistan sot përfundon afati për mbylljen  e salloneve të bukurisë

Kabul, 25 korrik 2023 (MIA) - Talibanët sot kanë njoftuar se nga sot duhet të mbyllen të gjitha sallonet e bukurisë, pasi që ka përfunduar afati prej një muaji që u është dhënë pronarëve vetë ta bëjnë këtë, ndërsa protestat kundër ndalimit ndëekohë kanë qenë të pakta.

Zëdhënësi i Ministrisë së Promovimit të Vlerave dhe Parandalimit të Veseve, Sadik Akif Mahjar, nuk tha përfundimisht nëse talibanët do të përdorin forcë kundër pronarëve të salloneve që refuzojnë ta respektojnë vendimin. 

Talibanët thonë se i kanë ndaluar sallonet e bukurisë sepse ato ofronin shërbime të ndaluara në Islam. 

 Ndalimi i salloneve të bukurisë është kufizimi i fundit i të drejtave dhe lirive të grave dhe vajzave afgane, dhe u paraprinë ndalimeve për shkuarjen e tyre në shkollë, për të dalë vetë në vende publike dhe për shumicën e formave të punësimit.

Paralajmërimi për mbylljen e sallonit shkaktoi disa protesta publike nga dhjetëra estetiste dhe grimiere në Kabul.  

Vendimi ka ngritur shqetësim te përfaqësuesit zyrtarë ndërkombëtarë për ndikimin e tij tek gratë sipërmarrëse. 

Sekretari i Përgjithshëm i KB-së Antonio Gutereshi tha se  "i mbështet përpjekjet e Misionit të KB-së për Ndihmë në Afganistan (UNAMA)", i cili u bëri thirrje autoriteteve ta tërheqin  vendimin për mbylljen e salloneve të bukurisë. 

UNAMA bëri të ditur se kufizimi i të drejtave të grave "do të ketë një ndikim negativ në ekonomi dhe është në kundërshtim me mbështetjen për sipërmarrjen e grave dhe ne kërkojmë që ndalimi të hiqet", deklaroi të hënën zëvendëszëdhënësi i KB-së Farhan Hak. 

 Talibanët kanë theksuar një sërë shërbimesh në sallonet për të cilat thonë se janë anti-islamike: formësimi i vetullave, përdorimi i flokëve të dikut tjetër për t'u rritur flokët natyralë dhe grimi, që sipas tyre e pengon "abdesin" - larjen rituale që nevojitet para namazit.

Talibanët, gjithashtu,  thonë se pagesa për shërbimet e sallonit është  barrë financiare për familjen e dhëndrit, që zakonisht kërkohet të paguajë që nuses dhe të afërmit e saj të afërt të vizitojnë sallonin para dasmës. 

“Nuk ka të bëjë me rregullimin e flokëve dhe thonjve. Bëhet fjalë për rreth 60.000  gra që humbasin vendet e tyre të punës. Bëhet fjalë  për gra që do të humbasin një nga vendet e pakta ku mund të shkonin për shoqëri dhe mbështetje, sepse talibanët kanë shkatërruar sistematikisht të gjithë sistemin e krijuar për t'iu përgjigjur dhunës në familje," tha Heder Bar, ndihmësdrejtoreshë për të drejtat e grave në Hjuman Rajts Voç. 

Foto:  Fejsbuk skrinshot

 

QËNDRONI TË LIDHUR