• e enjte, 26 dhjetor 2024

Mucunski: Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të jetë e fokusuar në integrimet evropiane

Mucunski: Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të jetë e fokusuar në integrimet evropiane

Beograd, 24 qershor 2024 (MIA) - Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut e udhëhequr nga kryeministri Hristian Mickoski do të jetë fuqishëm e fokusuar në integrimin evropian të vendit, deklaroi sot ministri i ri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, njofton korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.

"Do të jemi fuqimisht të fokusuar në zbatimin e reformave", tha Mucunski pas arritjes në takimin joformal të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të BE-së dhe përfaqësuesve të rajonit të Ballkanit Perëndimor që mbahet në Luksemburg.

Mucunski, për të cilin është dita e parë e punës në këtë post tha se ka ardhur në Luksemburg për t'u takuar me ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të BE-së dhe së bashku me kolegët e tij nga Ballkani Perëndimor për të konfirmuar se sa i rëndësishëm është procesi i integrimit evropian për stabilitetin e rajonit.

"Do të diskutojmë me kolegët nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian për atë që BE-ja mund të bëjë, rëndësinë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor i cili do të ketë implikime serioze pozitive fiskale për Ballkanin Perëndimor. Besojmë se ky është një nga forumet përmes të cilit bashkërisht mund të përshpejtojmë përparimin e të gjithë rajonit drejt anëtarësimit të plotë në BE", tha Mucunski.

Ai shtoi se Shkupi dëshiron të përparoj drejt anëtarësimit të plotë në BE duke u bazuar në vlerat dhe kriteret e kërkuara nga vetë BE-ja dhe tha se Shkupi beson se procesi i integrimit evropian nuk duhet të ngarkohet me mosmarrëveshje dypalëshe.

Në Luksemburg, në kuadër të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, do të shkëmbehen mendime për Ballkanin Perëndimor, me pjesëmarrjen e ministrave të Punëve të Jashtme të Serbisë, Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Kosovës, është kumtuar më herët nga Këshilli i BE-së. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR