• e shtunë, 23 nëntor 2024

MPJ ruse: Moska do të vazhdojë të respektojë kufizimet strategjike ofensive pavarësisht pezullimit të START-it të Ri

MPJ ruse: Moska do të vazhdojë të respektojë kufizimet strategjike ofensive pavarësisht pezullimit të START-it të Ri

Moskë, 21 shkurt 2023 (MIA) - Rusia do të vazhdojë të respektojë kufizimet strategjike ofensive pavarësisht pezullimit të marrëveshjes START i Ri, njoftoi sot Ministria e Punëve të Jashtme ruse.

"Për të ruajtur një shkallë të mjaftueshme të parashikueshmërisë dhe stabilitetit në sferën e raketave bërthamore, Rusia synon t'i përmbahet rreptësisht kufizimeve sasiore të armëve ofensive strategjike, të cilat janë parashikuar në kuadër të marrëveshjes", citohet në kumtesën që e transmetojnë mediat ruse.

Më herët sot, presidenti rus Vladimir Putin tha se Rusia ka pezulluar pjesëmarrjen në START-in e Ri.

Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë vlerëson se ekzistojnë të gjitha arsyet për të thënë se politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës synon të cenojë sigurinë kombëtare të Rusisë, e cila është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet dhe mirëkuptimet themelore të përfshira në preambullën e START-it, në të cilën bazohet marrëveshja dhe pa të cilën ajo nuk do të ishte lidhur.

"Në fakt, ne po flasim për një ndryshim rrënjësor të rrethanave në krahasim me ato që ekzistonin në kohën e nënshkrimit të START-it, thuhet në kumtesën e publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse.

Theksohet se çdo hap i Rusisë drejt SHBA-së në kuadër të START-it është absolutisht i përjashtuar, derisa Uashingtoni të tregojë vullnetin politik për një de-përshkallëzim të përgjithshëm.

MPJ ruse i bëri thirrje palës amerikane që ta bëjë këtë dhe theksoi se deri atëherë çdo hap drejt Uashingtonit në kuadër të START-it është absolutisht i përjashtuar. sa/

Foto: Faqja në Fejsbuk e MPJ-së së Rusisë

QËNDRONI TË LIDHUR