• e enjte, 26 dhjetor 2024

Mot i keq në Slloveni: Një person e ka humbur jetën në Bled

Mot i keq në Slloveni: Një person e ka humbur jetën në Bled

Lubjanë, 19 korrik 2023 (MIA) - Përveç Kroacisë, pasdite edhe Sllovenia është përfshirë nga moti i keq, në të cilën një person e ka humbur jetën, ndërsa në të gjithë vendin janë vërejtur dëme të mëdha materiale, njofton agjencia STA.

Siç ka komunikuar policia, një person e ka humbur jetën në Bled për shkak të rënies së një peme, ndërsa një tjetër ka mbetur i lënduar. Dy persona janë lënduar nga goditja e rrufesë në një kamp pranë Mozirjes në veri të Sllovenisë.

Breshër në madhësinë e një topi tenisi ka rënë pranë Metlikës dhe mijëra njerëz janë pa energji elektrike, megjithëse raportet nga Shpërndarja e energjisë elektrike treguan se ndërprerjet ishin kryesisht të përkohshme.

Zjarrfikësit kanë ndërhyrë në kampin e Meninës, ku një pemë ka rënë mbi dy çadra dhe një automjet, por nuk ka të lënduar.

Gjithashtu, zjarrfikësit nga 300 njësi zjarrfikëse janë duke i hequr pemët e rëna, shtyllat elektrike dhe telekomunikuese, janë duke i mbuluar çatitë e hapura, bëjnë pompimin e ujit nga ndërtesat dhe rrugët e përmbytura dhe janë duke marrë pjesë në evakuimin e qytetarëve nga zonat e rrezikuara.

Në Lubjanë, era e ka marrë çatinë metalike të stadiumit Pleçnik, ndërsa në Celje, çatinë e stadiumit të futbollit.

Kjo është stuhia e dytë e fortë që e godet Slloveninë në më pak se 24 orë. mb/

Foto: Fejsbuk

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR