• e enjte, 26 dhjetor 2024

Moska do të bllokojë në Rusi qasjen në ueb faqen e AFP-së dhe 80-të mediume

Moska do të bllokojë në Rusi qasjen në ueb faqen e AFP-së dhe 80-të mediume

Moskë, 25 qershor 2024 (MIA) - Autoritetet ruse njoftuan sot se do të bllokojnë qasjen në faqen kryesore të agjencisë së lajmeve AFP dhe portalin e klientëve në territorin e saj, si pjesë e përgjigjes së saj "hakmarrëse" ndaj kufizimeve evropiane për mediat ruse.

Ministria e Jashtme ruse publikoi një listë me 81 media, duke përfshirë faqet e internetit të AFP-së afp.com dhe afpforum.com, që do të bllokohen në Rusi.

Ministria e Jashtme ruse tha se po ndalonte aksesin në dhjetëra media të Bashkimit Evropian në Rusi, që sipas Moskës është hakmarrje për një ndalim të ngjashëm të BE-së për disa media ruse.

Në maj, Bashkimi Evropian kumtoi se suspendon katër "rrjetet propagandistike të lidhura me Kremlinin", duke i hequr të drejtat e tyre të transmetimit në bllok.

Në atë kohë, Brukseli tha se ndalimi zbatohej për Zërin e Evropës, agjencinë e lajmeve RIA dhe gazetat Izvestija dhe Rosiskaja.

MPJ ruse reagoi sot, duke publikuar një listë me 81 media nga 25 shtete anëtare të BE-së, si dhe media pan-evropiane, që nuk do të jenë më të disponueshme në territorin rus, duke i akuzuar për - "përhapje sistematike të informacionit të rremë" për atë që Rusia e quan operacionin e saj special ushtarak në Ukrainë.

Ndër mediat e prekura nga lëvizja ruse përveç AFP-së janë transmetuesi shtetëror austriak ORF, transmetuesi irlandez RTE dhe agjencia spanjolle EFE, si dhe shumë operatorë të tjerë kombëtarë të radios dhe televizionit, gazetat dhe "Politiko".

"Federata Ruse ka paralajmëruar vazhdimisht në nivele të ndryshme se ngacmimet e motivuara politikisht ndaj gazetarëve vendas dhe ndalimet e pajustifikuara të aktiviteteve të mediave ruse në BE nuk do të mbeten pa përgjigje", thuhet në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR