• e enjte, 26 dhjetor 2024

Moskë: Dokumentet e publikuara tregojnë përfshirjen e SHBA-së në luftën në Ukrainë

Moskë: Dokumentet e publikuara tregojnë përfshirjen e SHBA-së në luftën në Ukrainë

Moskë, 7 prill 2023 (MIA) - Kremlini njoftoi se gjoja dokumentet e zbuluara tregojnë përfshirjen e Uashingtonit në luftën kundër Ukrainës, pas një raporti mediatik që i referohej rrjedhjeve të supozuara të dokumenteve të klasifikuara, raportoi DPA.

 "Nuk kemi as dyshimin më të vogël për pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë apo të tërthortë të SHBA-së dhe NATO-s në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës", deklaroi zëdhënësi i Kremlinit Dmitrij Peskov për televizionin amerikan Si-En-En.

 Ai e tha këtë duke iu referuar një raporti në Njujork Tajms rreth dokumenteve që supozohet se kanë të bëjnë me planet e SHBA-së dhe NATO-s për të ndihmuar ushtrinë ukrainase përpara një ofensive të planifikuar kundër forcave ruse.

Megjithatë, është e paqartë nëse dokumentet e cituara në raport janë të vërteta, me Kievin që i ka hedhur poshtë si të rreme.

 

Peskov tha se pjesëmarrja e SHBA-së dhe NATO-s në konflikt po rritet.

"Po e ndjekim procesin. Po, dhe sigurisht që komplikon gjithçka, por nuk mund të ketë asnjë ndikim në rezultatin përfundimtar të operacionit special”, tha ai, duke përdorur terminologjinë e Kremlinit për pushtimin rus.

Dokumentet e tilla do të mbështesin pretendimin e Moskës se SHBA-ja qëllimisht po nxit mosmarrëveshje midis Moskës dhe Kievit në mënyrë që të përshkallëzojë konfliktin dhe në këtë mënyrë të dobësojë Rusinë dhe të destabilizojë Evropën, shkruan DPA.

Por, Kievi ka njoftuar më parë se dokumentet janë dezinformata ruse, të krijuara nga shërbimet e inteligjencës së Kremlinit për të prishur një kundërofensivë të pritshme ukrainase. qa/

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR