• e enjte, 26 dhjetor 2024

Modi do të vizitojë Moskën për herë të parë që nga fillimi i luftës ruso-ukrainase

Modi do të vizitojë Moskën për herë të parë që nga fillimi i luftës ruso-ukrainase

Nju Delhi, 8 korrik 2024 (MIA) - Kryeministri i Indisë Narendra Modi sot ka filluar vizitën dyditore në Rusi, që është vizita e tij e parë nga fillimi i invazionit rus në Ukrainë. Lufta ka tensionuar marrëdhëniet midis aleatëve të vjetër Moskë dhe Delhi, pasi Rusia filloi t'i afrohej Kinës, kundërshtarit kryesor të Indisë.

Gjatë vizitës, Modi do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin, me të cilin do të diskutojë për marrëdhëniet e përgjithshme të shumëanshme mes dy vendeve. Në rend dite do të jenë tregtia, energjia, mbrojtja dhe teknologjia. Gjithashtu do të diskutohen çështjet aktuale globale dhe sfidat e sigurisë, duke përfshirë situatën në Ukrainë dhe dinamikën gjeopolitike rajonale.

Pas vizitës në Rusi, Modi do të vazhdojë më vizitën zyrtare në Austri e cila do të jetë vizita e parë e një kryeministri indian në atë vend pas 41 vitesh.

Modi do të takohet me presidentin Vlladimir Putin, me të cilin për herë të fundit pati bisedime ballë për ballë në tokën ruse në vitin 2019 në Vladivostok. Të dy liderët u takuan gjithashtu në shtator të vitit 2022 në Uzbekistan në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSH). 

Rusia ka pasur lidhje të fuqishme me Indinë që nga Lufta e Ftohtë, ndërsa rëndësia e Delhit si një partner kryesor tregtar për Moskën është rritur që nga pushtimi i Ukrainës. Kina dhe India janë bërë disa nga blerësit më të mëdhenj të naftës ruse pasi SHBA-ja dhe aleatët e saj vendosën sanksione që mbyllën ndjeshëm tregjet perëndimore për eksportet e naftës nga Moska.

Delhi shmang dënimin e luftës ruse në Ukrainë dhe thekson nevojën për një zgjidhje paqësore të konfliktit. Megjithatë, në bashkëpunimin mes Moskës dhe Delhit u ngritën komplikime për shkak të lidhjeve të Rusisë me Kinën, e cila është kundërshtari gjeopolitik i Indisë.

Megjithatë, sipas analistëve, Modi do të përpiqet të mbajë marrëdhënie të ngushta me Moskën, e cila është jo vetëm një partner i rëndësishëm tregtar, por edhe një furnizues kryesor i armëve dhe pajisjeve për armatën indiane. qa/

Foto: arkivi

 

QËNDRONI TË LIDHUR