• e mërkurë, 21 janar 2026

MM: Rregullisht paguhen të gjitha kompensimet dhe të ardhurat sipas Marrëveshjes Kolektive

MM: Rregullisht paguhen të gjitha kompensimet dhe të ardhurat sipas Marrëveshjes Kolektive

Shkup, 15 janar 2026 (MIA) – Ministria e Mbrojtjes njoftoi se mbetet në qëndrimin se çdo kërkesë që vjen nga përfaqësuesit e sindikatës duhet të shqyrtohet përmes dialogut, duke u pajtuar plotësisht me deklaratën e kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Mbrojtjes. Ministria informon se për herë të parë, të gjitha kompensimet po paguhen në kohë në përputhje me Marrëveshjen Kolektive, duke përfshirë kompensimet për qira, ushqim dhe transport në shumën mbi 23.000 denarë, si dhe shtesat për orë shtesë, punë nate dhe mëditje për kujdestari.

“Paga mesatare bazë pa shtesa për një ushtar profesionist është rreth 35.700 denarë, ndërsa për një kolonel rreth 70.200 denarë. Kur kësaj i shtohen të gjitha shtesat e tjera në përputhje me Marrëveshjen Kolektive, fitohet një shifër e ndryshme nga ajo e paraqitur nga kryetari i SPM-së, koloneli Jurishiç”, thuhet në kumtesë.

Nga Ministria theksojnë se për shkak të vendimeve të marra nga qeveria e mëparshme në vitet e fundit, pjesëtarëve të Armatës dhe buxhetit të mbrojtjes u janë shkaktuar dëme të konsiderueshme. Vetëm në një vit e gjysmë të fundit, janë paguar shuma të konsiderueshme në bazë të vendimeve gjyqësore dhe ekzekutive, thonë ata. Si shembull, Ministria thekson se në maj dhe dhjetor të vitit të kaluar, 107 milionë denarë, ose pothuajse 1,8 milionë euro, janë paguar për mjete të papaguara nga viti 2019, 2020 dhe 2021 për punë jashtë orarit.

Në lidhje me ushtarët profesionistë, nga atje shtojnë se sipas Ligjit për shërbim në Armatë, çdo pjesëtar i cili mbush 45 vjet ka të drejtë të zgjedhjes, gjegjësisht të marrë para kohe dy paga mesatare për çdo vit paraprak në Armatë, ndërmjet 30.000 dhe 40.000 euro, ose të qëndrojë në punë si person civil në Armatë, Ministri ose institucione të tjera shtetërore deri në pensionim. 

Ministria bën të ditur se bashkë me Shtatmadhorinë dhe me sindikatat po shqyrton mundësi për ndryshime të cilat do të mundësonin mbajtjen e disa ushtarëve profesionistë edhe pasi të mbushin moshën 45-vjeçare në shërbime specifike në kuadër të Armatës. 

“Kjo nuk është nismë e SPM-së, por Ministria dhe Shtatmadhoria do ta përgatisin atë në konsultim me të gjitha sindikatat në mënyrë që të gjejnë zgjidhjen më të mirë të mundshme për ushtarët profesionistë”, thuhet në kumtesë, duke theksuar se Ministria e Mbrojtjes është gjithmonë në krah të punonjësve të saj, sepse, siç thonë ata, vetëm me personel të motivuar mund të mbahet një nivel i lartë gatishmërie.

Sipas raporteve të bashkangjitura, paga bazë e një ushtari profesionist lëviz ndërmjet 30.500 dhe 53.091 denarë, ndërsa një koloneli prej 60.029 deri 127.310 denarë, në çka shtohet qiraja, ushqimi, transporti dhe kompensime të tjera. 

Kumtesa e sotme nga Ministria e Mbrojtjes vjen pas konferencës për media të Sindikatës së Pavarur të Mbrojtjes, në të cilën ishin prezantuar tri kërkesat kyçe: rritja e pikës për llogaritje të pagës për 20 për qind, revizion i sistemit të pikëve në nivel tremujor dhe zgjidhje e statusit të ushtarëve profesionistë deri në pensionim. 

Kryetari i Sindikatës, Marijo Jurishiq deklaroi se qëllimi është që pagat të lidhen në mënyrë automatike me indikatorët ekonomikë realë, siç janë inflacioni dhe shpenzimet e jetës, dhe shtoi se, nëse kërkesat nuk pranohen, do të bisedohet për hapat e ardhshëm, por prioritet mbetet dialogu me institucionet. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR