• e premte, 08 nëntor 2024

Misioni i OSBE-së dhuron automjete për Ministrinë e Punëve të Brendshme

Misioni i OSBE-së  dhuron automjete për Ministrinë e Punëve të Brendshme

Shkup, 12 shtator 2023 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Kilian Vall, sot morën pjesë në dorëzimin e automjeteve të dhuruara nga OSBE-ja për nevojat e MPB-së.

Dhurimi është bërë në kuadër të projektit “Ndihma për autoritetet kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut në uljen e rrezikut nga përhapja e armëve dhe keqpërdorimi i armëve të vogla dhe të lehta” (AVL), njoftoi MPB.

Siç tha ministri Spasovski, qëllimi i këtij projekti është të ofrojë mbështetje për institucionet e zbatimit të ligjit në zhvillimin e kapaciteteve të depolitizuara profesionale, me aftësi për t'u përballur me kërcënimet transnacionale dhe krimin e organizuar, në përputhje me parimet dhe standardet demokratike ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. 

"Rreziku i përhapjes së armëve në botën moderne, ku krimi i organizuar ka kaluar kufijtë kombëtarë, përfaqëson një nga sfidat më të mëdha të sigurisë, jo vetëm për vendin tonë në nivel lokal, por ky problem paraqet një sfidë serioze globale në përpjekjet për të ruajtur dhe për t. rritur sigurinë botërore. Prandaj donacioni i sotëm i automjeteve në vlerë prej 50 mijë eurosh, të dedikuara për Sektorin e Armëve, është vetëm një segment i këtij projekti të rëndësishëm për ne", tha Spasovski. Ai falënderoi Misionin e OSBE-së në Shkup për donacionin e sotëm dhe për bashkëpunimin dhe partneritetin e suksesshëm të deritanishëm në ngritjen e kapaciteteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme në luftën kundër keqpërdorimit dhe tregtisë së paligjshme të armëve të vogla dhe të lehta.

Spasovski theksoi se e gjithë kjo do të jetë e një rëndësie të madhe për funksionimin dhe përmirësimin e kushteve dhe kapaciteteve, si dhe për forcimin e sistemit të sigurisë në nivel kombëtar, përballimin e rreziqeve nga përhapja e armëve, veçanërisht përmes vendosjes së mekanizmave të qëndrueshëm për shkatërrimin dhe çaktivizimin e armëve të vogla dhe të lehta.

"Si pjesë e angazhimit konkret të OSBE-së për të mbështetur vendin në këtë përpjekje, kam kënaqësinë t'i dorëzoj këto automjete. Nevojat për inspektime më komplekse në terren të objekteve të çmontimit, si dhe inspektimin e armëve të zjarrit të çaktivizuara në të gjithë vendin, kërkojnë mjete adekuate për këtë punë. Me padurim pres t'i shoh këto automjete në veprim ndërsa përpiqemi të krijojmë mekanizma të qëndrueshëm për shkatërrimin dhe çaktivizimin e AVL-ve në Maqedoninë e Veriut dhe ta bëjmë atë një vend më të sigurt për të gjithë qytetarët", vuri në dukje ambasadori Kilian Val. sa/

Foto: MPB

QËNDRONI TË LIDHUR