• e enjte, 26 dhjetor 2024

Mishell: Kutia e negociatave me prioritete si Ukraina dhe Ballkani Perëndimor është bazë për marrëveshje

Mishell: Kutia e negociatave me prioritete si Ukraina dhe Ballkani Perëndimor është bazë për marrëveshje

Bruksel, 31 janar 2024 (MIA) - Kryetari i Këshillit Evropian, Sharll Mishell, sot foli për rëndësinë e marrëveshjes për buxhetin e BE-së dhe theksoi se në kutinë e negociatave, e cila ishte mbështetur nga 26 liderët në samitin paraprak dhe në të cilën mbështetja për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor është vendosur në mesin e prioriteteve, është vendosur bazë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare të 27 vendeve anëtare të BE-së. 

Në letrën me ftesën dërguar vendeve anëtare të BE-së, me rastin e takimit të nesërm special të Këshillit Evropian, Mishell thekson se qëllimi është që të vazhdohen diskutimet për disa nga çështjet më urgjente të cilat kanë të bëjnë me BE-në, ndërsa para së gjithash edhe më e rëndësishme, për marrëveshjen për kontroll afatmesëm të kornizës financiare shumëvjeçare të BE-së, e cila përfshin pako të ndihmës për Ukrainën prej 50 miliardë euro.

"Në takimin tonë të fundit në dhjetor, 26 liderët fuqishëm e mbështetën fushën e balancuar të negociatave e cila mori parasysh një grup të qartë të prioriteteve të larta: mbështetje për Ukrainën, menaxhim me emigrimin dhe dimensionin e tij të jashtëm, mbështetje për Ballkanin Perëndimor dhe përgjigjen tonë për katastrofat natyrore. Kjo kuti e negociatave i vendos themelet për finalizimin e marrëveshjes 27 (vende anëtare)", deklaroi Mishelli dhe theksoi se sigurimi i marrëveshjes është me rëndësi të madhe për besimin e BE-së. 

Ai shtoi se liderët e BE-së në samit do ta shfrytëzojnë mundësinë që urgjentisht t'i shqyrtojnë të gjitha aspektet e ndihmës ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë edhe dërgesën e municionit, në përputhje me konkluzionet e Këshillit Evropian nga marsi i vitit 2023 dhe aftësimin e instrumenteve relevante të BE-së, me qëllim që më shpejtë të dërgohet ndihma në Kiev. 

"Që ta arrijmë këtë, duhet të vazhdojmë me donacionet tona, t'i aftësojmë porositë dhe të japim të reja, që gjithashtu do ta fuqizojë industrinë tonë mbrojtëse evropiane", tha Mishell. 

Ai vlerësoi se "ngjarjet dramatike në Lindjen e Afërt kërkojnë fokus maksimal të BE-së" dhe bëri thirrje për lirimin e të gjithë robërve të cilët i mban Hamasi pa kurrfarë parakushte, njoftoi Këshilli Evropian. 

"Duke pasur parasysh ngjarjet shqetësuese në rajon, ne duhet t'i zgjidhim çështjet e sigurisë, të vazhdojmë të nxitim përmbajtje dhe të bisedojmë për masat për parandalim të përshkallëzimit rajonal të mëtutjeshëm, veçanërisht në Detin e Kuq", theksoi ai. 

Përveç kësaj, shtoi ai, BE-ja duhet të kontribuojë urgjentisht në përmirësimin e "situatës shkatërruese humanitare" në Rripin e Gazës. Mishell tha se liderët e BE-së duhet të diskutojnë gjithashtu se si të ringjallin procesin politik për një zgjidhje me dy shtete, të cilën ai e quajti opsionin e vetëm të zbatueshëm që mund të sjellë paqe të qëndrueshme për izraelitët dhe palestinezët dhe të përmirësojë sigurinë rajonale.

"Në përgjithësi, përpjekjet tona duhet të kenë për qëllim të sigurojnë që të gjithë ta respektojnë të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare", tha Mishell. 

Në samitin e Këshillit Evropian në mes të dhjetorit, kryeministri hungarez Viktor Orban vendosi veto për pakon e ndihmës nga BE-ja për Ukrainën në vlerë prej 50 miliardë euro. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR