• e enjte, 26 dhjetor 2024

Mishel thirri një raund të ri konsultimesh për Agjendën strategjike për prioritetet e ardhshme të BE-së

Mishel thirri një raund të ri konsultimesh për Agjendën strategjike për prioritetet e ardhshme të BE-së

Bruksel, 3 prill 2024 (MIA) – Kryetari i Këshillit Evropian, Sharll Mishell, u dërgoi ftesë liderëve të vendeve anëtare të BE-së për mbajtjen e raundit të ri të konsultimeve për Agjendën Strategjike me të cilën duhet të përcaktohen prioritetet e Unionit për ciklin e ardhshëm legjislativ.

Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, në kuadër të këtij raundi, konsultimet do të mbahen në grupe të vogla të posaçme në Vilnius, Bukuresht, Varshavë dhe Vjenë.

"Deri më tani, ne së bashku kemi identifikuar një sërë prioritetesh të qarta, të cilat po i afrohen arritjes së një qëllimi të përbashkët të fuqishëm – një Union të fortë, të begatë dhe demokratik. Ky është një moment i përshtatshëm për ne që të thellohemi në secilën prej këtyre prioriteteve, duke vlerësuar veprimet që duhen ndërmarrë për të arritur qëllimet tona", tha Mishel.

Sipas kryetarit të Këshillit të BE-së, për të arritur këto synime, anëtarët e Unionit duhet të sigurojnë që burimet financiare të ndara të jenë në përputhje me ambiciet e bllokut.

“Angazhimi juaj dhe kontributet e rëndësishme do të jenë më të rëndësishmet në sigurimin e drejtimit strategjik për të ardhmen e Unionit, i cili është edhe më i rëndësishëm në mjedisin e sotëm gjeopolitik”, thekson Mishel në ftesën.

Sipas tij, diskutimet në këto konsultime do të hapin rrugën për përpunimin e një draft-agjende më të detajuar, e cila do t'i dorëzohet Këshillit Evropian në qershor, së bashku me Udhërrëfyesin për punën e ardhshme të reformave të brendshme të BE-së.

Një raund i mëparshëm konsultimesh u mbajt në Paris, Berlin, Kopenhagë dhe Zagreb në mes të nëntorit të vitit të kaluar. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR