• e enjte, 26 dhjetor 2024

Mishel për MIA-n: E ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE

Mishel për MIA-n: E ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE

Bled, 28 gusht 2023 (MIA) - Jam i bindur dhe i sigurt se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE, tha për MIA-n kryetari i Këshillit Evropian Sharl Mishel pas takimit të mbrëmshëm bilateral me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, i cili u zhvillua para fillimit të Forumit Strategjik të Bled-it.

Mishel vlerësoi se marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së janë të shkëlqyera. Në të njëjtën kohë, ai e përgëzon kryeministrin Kovaçevski për vendimin për fillimin e procedurës për sjelljen e ndryshimeve kushtetuese.

"Maqedonia e Veriut dhe BE-ja kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe këtu dëshiroj ta përgëzoj kryeministrin për vendimin e tij për të dorëzuar ndryshimet kushtetuese në Kuvend. Jam i bindur se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE", tha kryetari i Këshillit Evropian.

Pas takimit me kryeministrin, Mishel në rrjetin social X (Tuiter) ka shprehur mbështetjen e plotë për nismën për miratimin e ndryshimeve kushtetuese pavarësisht, siç shkruan ai, sfidave të shumta politike. Ai vlerësoi lidershipin dhe vendosmërinë e Maqedonisë së Veriut dhe kryeministrit Kovaçevski për të avancuar në agjendën e reformave të BE-së dhe për të dhënë rezultate konkrete.

Në takimin ndërmjet Kovaçevskit dhe Mishelit, siç informojnë nga kabineti i kryeministrit, u theksua se përkushtimi dhe mbështetja e Bashkimit Evropian në procesin integrues evropian të Maqedonisë së Veriut është jashtëzakonisht i rëndësishëm në momentin e caktuar, për të cilin mesazhi nga BE-ja u trajtua qartë për rëndësinë e përfundimit me sukses të procesit të ndryshimeve kushtetuese, për ecurinë e mëtejshme të procesit të integrimit evropian të vendit.

"Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se ndryshimet kushtetuese paraqesin një shans unik për përparimin dhe prosperitetin e Maqedonisë së Veriut brenda BE-së. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE do të ndikojë pozitivisht në situatën e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor, e veçanërisht në sferën e zhvillimit ekonomik të vendit dhe të rajonit", thuhet nga takimi.

Siç njoftoi raportuesi i MIA-s nga Bledi, në takim u theksua gjithashtu se përkushtimi dhe përshpejtimi i reformave është kyç për rritjen e mbështetjes nga BE-ja në aspektin e fondeve para inkuadruese për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Takimi mes Kovaçevskit dhe Mishelit u zhvillua në kuadër të vizitës në Republikën e Sllovenisë, ku kryeministri po merr pjesë në Forumin Strategjik të Bledit.

Në takimin ku morën pjesë zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, u bisedua për zhvillimet aktuale politike në Maqedoninë e Veriut, me fokus, siç u tha, fillimin e suksesshëm të procesit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvend.

Para takimit me kryetarin e Këshillit Evropian, kryeministri Kovaçevski mori pjesë në një darkë pune të organizuar nga kryeministri slloven Robert Golob, ndërsa sot do të ketë fjalim para panelit udhëheqës të Forumit. sa/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR