• e martë, 17 mars 2026

Misajllovski: Dhimbja nga tragjedia në "Puls" nuk do të mbarojë kurrë - ishte nata më e vështirë e jetës sime

Misajllovski: Dhimbja nga tragjedia në

 Shkup, 16 mars 2026 (MIA) - Dhimbja nga tragjedia në diskoteken "Puls" në Koçan nuk do të mbarojë kurrë, ishte nata më e vështirë e jetës sime, theksoi sonte ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski.

 Në emisionin "Pro ose kundër" në TV Alfa, Misajllovski shprehu edhe një herë ngushëllimet e tij familjeve dhe të afërmve të të ndjerëve.

 "Dhimbja nuk do të mbarojë kurrë. Pata mundësinë të jem pjesë e Konferencës Ndërkombëtare ku u bisedua kjo temë, me shumë mjekë, njerëz që ndihmuan, por edhe shumë njerëz që dhanë sugjerime në të ardhmen për çdo tragjedi, çdo incident që lidhet me një krizë, si të veprohet më mirë, cili do të jetë mësimi nga e gjithë kjo. E dini që në momente krize njerëzit reagojnë ndryshe, vetëdija funksionon më ndryshe", tha ministri.

 Ai theksoi se Armata luajti një rol të rëndësishëm në ndihmën menjëherë pas aksidentit.

 "Në atë periudhë, që nga orët e para, Armata doli në terren dhe në ditët në vijim ndihmuam sa më shumë që mundëm. Pati një mobilizim të madh, por për fat të keq nuk mund të kthesh asnjë të ri. Është një tragjedi dhe është vërtet e vështirë për mua të flas për të", potencoi ministri.

 Misajllovski shprehu mirënjohje  për të gjithë ata që ndihmuan në përballimin e pasojave të tragjedisë - Armatën, personat e uniformuar, infermierët,....

 Duke folur për momentet e para kur mësoi për tragjedinë, ministri tha se ishte nata më e vështirë e jetës së tij. Pamjen, theksoi, nuk do ta harrojë kurrë.

 "Në atë moment, megjithatë jam ministër i Mbrojtjes. Shkova menjëherë në punë dhe u formua një Shtab Krize, së pari në Kabinetin tim, dhe më pas në njësi të tjera të komandës", tha Misajllovski.

 Ai shtoi se ka pasur shumë telefonata - me gjeneralë, ambasada, konsuj.

 "Ne si institucione, jemi të obliguar çdo ditë të ndihmojmë në  përmirësimin e sistemit, prandaj është e nevojshme të sigurohen sa më shumë automjete, të sigurohen sisteme të ndryshme, ta plotësojmë atë me fonde në institucione të ndryshme ku do të kemi më shumë ambulanca, gjithçka që i duhet një shteti në çdo tragjedi", shtoi ministri.

 Misajllovski theksoi se në ditët pas tragjedisë, ka pasur koordinim intensiv midis institucioneve, si dhe komunikim të vazhdueshëm me Kryqin e Kuq, të cilit i shprehu gjithashtu mirënjohje për angazhimin dhe ndihmën e tij.

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR