• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Miratohet Rregullorja e ndryshuar e BE-së për transportin e mbetjeve

Miratohet Rregullorja e ndryshuar e BE-së për transportin e mbetjeve

Bruksel, 25 mars 2024 (MIA) - Këshilli i BE-së sot në mbledhjen e fundit miratoi ndryshimet në Rregulloren për transportin e mbetjeve, qëllimi i së cilës është të reduktojë dërgesat e "mbeturinave problematike" jashtë territorit të BE-së, për të harmonizuar procedurat e transportit me objektivat e ekonomisë qarkulluese dhe neutralitetit klimatik, për të mundësuar shkëmbimin elektronik të informacionit dhe parandalimin e transportit të paligjshëm të mbetjeve.

Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, me ndryshimet, gjithashtu parashikohen edhe masa për të siguruar se mbeturinat transportohen vetëm në deponi ku do të trajtohen në mënyrë adekuate dhe ekologjike.

Sipas rregullave të reja, mbetjet nuk mund të transportohen në vendet që nuk janë anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), përveç nëse vendi përkatës tregon gatishmëri për të importuar mbetjet dhe provon se do t'i trajtojë ato në mënyrë ekologjike, e cila do të konfirmohej nga organe të pavarura dhe me monitorim të kryer nga Komisioni Evropian. Nga mundësia e transportit në vendet që nuk janë anëtare të OECD-së janë përjashtuar mbetjet e plastikës të rrezikshme dhe jo të rrezikshme.

Gjatë transportit të mbetjeve në vendet që nuk janë anëtare të BE-së, nevojitet konfirmim me shkrim për dërgimin, destinacionin përfundimtar dhe mënyrën e transportit, me termine kohore konkrete dhe afate të vërtetuara, me qëllim që të sigurohet efikasitet në të gjithë procesin.

Me Rregulloren e ndryshuar për transportin e mbetjeve,  në legjislacionin e BE-së përfshihen dispozitat e Konventës së Bazelit për kontrollin e lëvizjes ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe asgjësimin e tyre.

Komisioni Evropian ka dorëzuar propozimin për ndryshime në Rregullore më 17 nëntor të vitit 2021. Pas më shumë se një viti rregullimesh, Parlamenti Evropian përcaktoi qëndrimin e tij për propozim janarin e kaluar, ndërsa Këshilli i BE-së në mars të të njëjtit vit. Marrëveshja pas ndryshimeve u arrit midis PE-së dhe Këshillit Evropian më 17 nëntor 2023, e cila u konfirmua më pas nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare (Koreper) më 6 të muajit të ardhshëm dhe nga Komisioni Parlamentar për Mjedis, Shëndet Publik dhe Sigurinë e Ushqimit më 11 janar të këtij viti. Parlamenti Evropian i miratoi ndryshimet në seancën plenare më 27 shkurt 2024 dhe me miratimin e sotëm nga Këshilli përfundon procedura për miratimin e propozimit. Rregullorja do të hyjë në fuqi në ditën e 20-të pas shpalljes në Gazetën Zyrtare të BE-së. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR