• e enjte, 26 dhjetor 2024

Ministrja shqiptare e Shëndetësisë: Mbi 36 mijë turistë vendas dhe të huaj morën shërbime në qendrat shëndetësore verore

Ministrja shqiptare e Shëndetësisë: Mbi 36 mijë turistë vendas dhe të huaj morën shërbime në qendrat shëndetësore verore

Tiranë, 20 gusht 2023 (MIA) - Ministrja shqiptare e Shëndetësisë Orgeta Manastirliu njoftoi se që nga 15 qershori, kur u vunë në funksion 30 qendrat shëndetësore verore, kanë marrë shërbim 36.592 turistë vendas dhe të huaj.

Në një video postim në Fejsbuk shton se “shërbime cilësore, nga personeli i kualifikuar, kanë marrë turistët përgjatë bregdetit dhe zonave të turizmit malor”. Ajo ka ndarë deklaratat e mjekëve që shërbejnë në këto qendra, por edhe të turistëve që kanë marrë shërbim. 

"Madje 96 për qind e turistëve që kanë marrë shërbimet në këto qendra, nuk janë transferuar drejt spitaleve, pasi kanë marrë shërbimin e duhur dhe të kualifikuar në qendrën shëndetësore, pranë vendpushimit", thekson ajo.

Sipas mjekëve, këtë vit numri i atyre që kërkuan shërbimin është shumë më i lartë krahasuar me vitet e tjera, gjë që është e kuptueshme për shkak të valës më të madhe të turistëve.

 "Krahas qendrave shëndetësore, Shërbimi i Urgjencës Kombëtare është plotësisht i përgatitur për t'iu përgjigjur të gjitha thirrjeve për ndihmë mjekësore në numrin 127", thekson ministrja.

Për shtatë muaj Shqipërinë kanë vizituar 5.1 milionë turistë të huaj, që është 31 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 Foto: FB Manastirliu

 

QËNDRONI TË LIDHUR