MSH: Projektligji i ri për mbrojtjen nga duhanpirja parashikon ndalim për reklamim, promovime - përparësia është mbrojtja e fëmijëve
- Shëndeti publik para interesit komercial - ndalim për reklamimin dhe promovimin e produkteve të duhanit, theksohet në komunikatën e sotme të Ministrisë së Shëndetësisë.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 14:54, 22 janar, 2026
Shkup, 22 janar 2026 (MIA) - Shëndeti publik para interesit komercial - ndalim për reklamimin dhe promovimin e produkteve të duhanit, theksohet në komunikatën e sotme të Ministrisë së Shëndetësisë.
Projektligji i ri për mbrojtjen nga duhani, siç theksohet në komunikatë, parashikon ndalim të plotë të reklamimit, promovimit dhe sponsorizimit nga industria e duhanit. Këto dispozita ligjore vlejnë për publikimet në media, në internet dhe rrjete sociale, si dhe për ngjarje, lojëra shpërblyese, zbritje dhe dhurata.
"Qasja e lehtë dhe ekspozimi i produkteve rrisin numrin e përdoruesve të rinj, veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë. Largimi i ekspozimit konsiderohet një nga masat më efektive për parandalim. Mbrojtja e fëmijëve është prioritet absolut", vlerëson ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu në deklaratë me shkrim.
Përveç ndalimit të shitjes për të miturit – jo vetëm të cigareve klasike, siç theksohet në komunikatë, por edhe të të gjitha produkteve të tjera me nikotinë – ligji parashikon edhe: Ndalim të ekspozimit publik të produkteve të duhanit dhe nikotinës në pikat e shitjes; ndalim të shitjes së tyre në objekte hotelerie, sportive, kulturore dhe në ngjarje publike.
"Reklamimi ndikon drejtpërdrejt në fillimin e pirjes së duhanit, sidomos tek të rinjtë. Me këto dispozita ligjore parandalohen format e fshehura të promovimit të këtyre produkteve. "Shëndeti publik ka përparësi ndaj interesit komercial", thekson ministri Aliu.
Foto: Arkivi i MIA-s