Ministri gjerman i Punëve të Jashtme sheh mundësi për Ballkanin Perëndimor për t'u bashkuar me BE-në
- Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Johan Vadeful sheh një "dritare mundësish" për vendet e Ballkanit Perëndimor që të bashkohen me BE-në, publikoi DPA.
Belfast, 9 tetor 2025 (MIA) - Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Johan Vadeful sheh një "dritare mundësish" për vendet e Ballkanit Perëndimor që të bashkohen me BE-në, publikoi DPA.
Duke folur në konferencën në Belfast sot, Vadeful tha se vendet-kandidate për BE-në kanë shpresa të mëdha për përparim, por se "ekziston edhe një frikë e madhe se në fund ky do të jetë një proces i pafund që nuk do të japë asnjë rezultat".
Nisma Procesi i Berlinit, e ngritur në vitin 2014 nga ish kancelarja gjermane Angela Merkel, ka për qëllim të promovojë bashkëpunimin e BE-së me Shqipërinë, Bosnjen e Hercegovinën, Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.
Kryetar aktual i nismës është Mbretëria e Bashkuar, e cila u largua nga BE pas referendumit të vitit 2016.
Vadeful tha se pranimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE "nuk duhet të ndodhë në një moment të caktuar, por duhet të ndodhë në të ardhmen të dukshme".
Ai tha se mandati aktual i Komisionit Evropian dhe Parlamentit, i cili zgjat deri në vitin 2029, ofron një mundësi që "duhet të shfrytëzohet".
Procesi i pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor ka ngecur vitet e fundit, duke shkaktuar shqetësim në rritje në BE se vendet në rajon po kthehen gjithnjë e më shumë drejt Rusisë dhe Kinës.
Ndër vendet nga Ballkani Perëndimor, Mali i Zi konsiderohet më i përparuari në procesin e pranimit, me negociata që janë në vijim që nga viti 2012. ls/
Foto: DPA