Ministrat e Punëve të Brendshme të Kroacisë, Sllovenisë dhe Italisë po zgjerojnë bashkëpunimin drejt Ballkanit Perëndimor
- Ministrat e Punëve të Brendshme të Kroacisë, Sllovenisë dhe Italisë, pas takimit të sotëm në qytetin kroat Buzet, njoftuan se bashkëpunimi i përbashkët ndërmjet policisë dhe ministrive të Punëve të Brendshme të këtyre tri vendeve do të zgjerohet edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim parandalimin e migrimit të paligjshëm dhe kontrabandës së njerëzve.
Zagreb, 16 janar 2024 (MIA) - Ministrat e Punëve të Brendshme të Kroacisë, Sllovenisë dhe Italisë, pas takimit të sotëm në qytetin kroat Buzet, njoftuan se bashkëpunimi i përbashkët ndërmjet policisë dhe ministrive të Punëve të Brendshme të këtyre tri vendeve do të zgjerohet edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim parandalimin e migrimit të paligjshëm dhe kontrabandës së njerëzve.
Në fillim të nëntorit u mbajt në Trieste takimi i parë i ministrave Davor Bozhinoviq, Boshtjan Poklukar dhe Mateo Pjantedosi, ndërsa u ra dakord për një bashkëpunim më të fortë në mbikëqyrjen e përbashkët të kufijve të rrugës së migrimit në Ballkanin Perëndimor.
Ata sot kanë konstatuar se aksioni i deritanishëm i përbashkët i policisë së tri shteteve ka qenë efektiv, pasi nuk është vërejtur grumbullim më i madh në kufi, transmeton Novi List.
“Qytetarët e Italisë, Sllovenisë dhe Kroacisë nuk ndiheshin të kontrolluar në atë masë sa të pengonte lëvizjet e tyre, veçanërisht në zonat kufitare. Vetëm këtë vit në Kroaci kemi pasur 90 arrestime të kontrabandistëve të emigrantëve”, deklaroi Bozhinoviq sot pas takimit në Buzet.
Kolegu i tij nga Italia theksoi se kontrollet dhanë fryte dhe se nga 21 tetori i vitit të kaluar e deri më sot, policia italiane ka kontrolluar 160 mijë persona dhe 96 mijë automjete dhe se gjatë asaj periudhe janë regjistruar 1600 kalime të paligjshme kufitare, nga të cilat 900 janë kthyer. Në të njëjtën kohë, janë gjetur rreth shtatëdhjetë persona të dyshimtë, pesëdhjetë prej të cilëve janë kontrabandist me njerëz, ndërsa policia njeh edhe disa dhjetëra persona që kanë tentuar të kalojnë kufirin në lidhje me terrorizmin.
Ministri i Punëve të Brendshme, Boshtjan Poklukar, duke pohuar se zona Shengen aktualisht nuk funksionon, theksoi se në nivel ministror është rënë dakord që trafiku i mallrave të mos ndalet në kontrollet policore dhe se nuk do të ketë probleme për njerëzit të cilët për shkak të punës e kalojnë kufirin çdo ditë.
Zgjerimi i bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimor do të përcaktohet në takimin e radhës më 21 dhe 22 mars në Bërdo afër Kranjit.
"Me takimin e ri në Bërdo afër Kranjit, ne duam të shqyrtojmë mundësitë se si të bëjmë gjithçka së bashku në luftën kundër kontrabandës së migrantëve", deklaroi ministri kroat i Punëve të Brendshme, Davor Bozhinoviq.
“Ramë dakord që do të bashkëpunojmë së bashku në zonën e Ballkanit Perëndimor, sepse kemi një numër të madh të migrantëve të paligjshëm. Vitin e kaluar, Sllovenia arrestoi 60.000 të huaj që kaluan kufirin ilegalisht. Ky është një numër i madh për Slloveninë, tha Poklukar, duke shtuar se në takim u diskutua për praninë e Frontek-it në Bosnje e Hercegovinën fqinje, përmes së cilës një numër i madh i migrantëve të paligjshëm vijnë në Kroaci dhe më tej në vendet e tjera të BE-së, si dhe për mbështetjen për hyrjen e Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Shengen. ls/