• e martë, 24 dhjetor 2024

Ministrat e energjetikës së BE-së me 15 tetor do të diskutojnë problemin e shtrenjtimit të energjisë elektrike në EJL

Ministrat e energjetikës së BE-së me 15 tetor do të diskutojnë problemin e shtrenjtimit të energjisë elektrike në EJL

Bruksel, 3 tetor 2024 (MIA) - Kërkesa e Bullgarisë, Greqisë dhe Rumanisë për ndërhyrjen e Komisionit Evropian në lidhje me çmimet standarde më të larta të energjisë elektrike në tregun energjetik në Evropën Juglindore në krahasim me ato të vendeve të Evropës Perëndimore, do të jetë në agjendën e takimit të Këshillit ministror për transport, telekomunikacion dhe energji të BE-së, i paraparë për më 15 tetor në Luksemburg.

Ministri i Energjetikës së Rumanisë, Sebastian Burduja deklaroi se kërkesa ka për qëllim të krijojë një treg funksional të energjetikës, duke vënë në dukje se Bukureshti, Athina dhe Sofja respektojnë rregullat evropiane në lidhje me tendencat për dekarbonizimit dhe tranzicionin e gjelbër, kështu që ata kërkojnë "të drejta të barabarta në qasjen për energji me çmime konkurruese, të krahasueshme me ato të paguara nga vendet e tjera të BE-së.

Sipas tij, dy faktorë kyç që rezultojnë me çmime më të larta të energjisë elektrike në rajon janë numër i pamjaftueshëm i interkonekcioneve energjetike në Evropën Qendrore, para së gjithash në Austri dhe Sllovaki, gjë që është pengesë për rrjedhën e energjisë elektrike më të lirë nga Perëndimi, por edhe rritje e kërkesës për energji elektrike nga ana e Moldavisë dhe Ukrainës, me çka rezultojnë në rritjen e çmimeve.

"Në planin afatmesëm dhe afatgjatë, zgjidhja më e mirë është zgjerimi i kapaciteteve të interkonekcioneve. Synimi ynë është të ushtrojmë presion të drejtë dhe konstruktiv ndaj Austrisë, Sllovakisë, ndërsa ka mundësi edhe në vendet e tjera nga Unioni energjetik, për të përmirësuar ndërlidhjen e tyre. Ndonjëherë është e mundur që energjia nga Lindja të jetë më e lirë se ajo e Perëndimit, por nuk mund të rrjedhë në drejtim të kundërt", deklaroi Burduja.

Në letrën që Bullgaria, Greqia dhe Rumania muajin e kaluar i dërguan Komisionit Evropian në lidhje me problemin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, mes tjerash, propozohet vendosja e taksave më të larta për prodhuesit e energjisë elektrike që kanë shpenzimet më të ulëta të prodhimit, si dhe për tregtarët me energji.

Sipas tyre, kjo mënyrë do të zgjidhte çështjen e "fitimeve të papritura të prodhuara nga prodhuesit për shkak të kushteve aktuale të çmimeve, të cilat nuk pasqyrojnë shpenzimet reale të prodhimit" të energjisë.

"Të ardhurat nga këto taksa mund të rishpërndahen për të ulur barrën mbi konsumatorët dhe për të ndihmuar në stabilizimin e tregut të energjisë në afatshkurtër", thuhet në letrën e tre vendeve drejtuar komisarit të BE-së për energjetikë, Kadri Simson. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

Tags

QËNDRONI TË LIDHUR